Politika shqiptare po kalon një moment të tensionuar dhe të trazuar, ku përplasjet mes partive janë intensifikuar ndjeshëm. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe grupi i tij, të njohur si “beniaminët e tij”, vazhdojnë të përdorin retorikën e dhunës dhe kërcënimeve, duke paralajmëruar vijimin e kaosit. Kërcënimet për dhunë e flakë, përfshirë ato që synojnë banesën e kryeministrit Edi Rama në Surrel nga ana e demokratëve, tregojnë një intensifikim të tensioneve politike. Ndërkohë Partia Demokratike po përballet edhe me një krizë të thellë, pasi Partia Socialiste ka vendosur përjashtimin e 20 deputetëve demokratë për 40 ditë nga Parlamenti, ndërsa Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati janë pezulluar për dy muaj.
Kështu që përpara kësaj situate dhe pas kaosit e zjarrit që ndezën në Kuvend këtë të hënë, kërcënimet për dhunë dhe paralajmërimet për protesta nga grupi i Berishës vetëm sa intensifikojnë ndjenjat e pasigurisë mes qytetarëve. Në këtë kontekst, politikat dhe strategjitë e opozitës duken gjithnjë e më të kontestuara, duke e lënë vendin në një gjendje të paqartë dhe të paqëndrueshme. Debati politik ka kaluar nga përballjet e zakonshme në një situatë alarmante, ku shpeshherë përmenden veprime radikale. Shqipëria, në këtë fazë, ka nevojë për dialog dhe stabilitet më shumë se kurrë, ndërkohë që sjellja dhe strategjia e ndjekur nga PD është absurde e teje radikali që nuk i shkon për shtat një formacioni politik që synon të vijë në pushtet përmes dhunës e kaosit.
Reagon Bardhi
Konkretisht Partia Demokratike nuk është e penduar për aktet e dhunës, shishet me brezninë në Kuvend. Madje as nuk ka reflektuar pas apelit të ndërkombëtarëve por do të vijojë aktet e ‘luftës’ me mazhorancën brenda në Kuvend. Vendimi duket që është marrë në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, dhe u bë i njohur nga kreu i këtij grupi Gazment Bardhi për gazetarët pas mbledhjes. Zoti Bardhi deklaroi se edhe nesër, pra sot do të bëjnë gjithçka që seanca e Kuvendit të mos ketë një zhvillim normal. “Sa i takon seancës së nesërme grupi ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme.
Tani strategjitë se çfarë do të bëjmë do ti mësoni aty. Mos prisni detaje nga reagimi i opozitës”, deklaroi dje Bardhi për mediat pas daljes së tij nga SPAK, ku ishte mbi mesazhet shantazhuese që i kishin dërguar në aplikacionin “Signal”. Ai theksoi se deputetët demokratë do të reagojnë në çdo formë e mënyrë për të kundërshtuar burgosjen politike të Ervin Salinjit dhe të opozitës. Bardhi e cilësoi absurd kallëzimin penal ndaj deputetëve të PD për djegien e 10 karrigeve në vend. Po ashtu, ai deklaroi se deputetët nuk do të tërhiqen, por do të dalin në ballë të betejës në kundër veprimeve arbitrare dhe tentativave të PS për asgjësimin e opozitës.
Reagon Noka
Ndërkohë ka dështuar dje mbledhja e Sekretariatit të Etikës, ku pritej të vendosej për ndëshkimin e deputetëve të opozitës, mbi incidente e së hënës. Ashtu sikundër pritej, deputetët e opozitë kanë mësyrë në sallën ku po zhvillohej mbledhja dhe nuk kanë lejuar mbajtjen e saj, duke u përplasur me socialistët. Flamur Noka dhe Gazment Bardhi kanë lëshuar valë akuzash teksa dëgjohet të thonë: “Hajdut, qeveri hajdutësh”. Pas mbledhjes, Flamur Noka ka folur me tone kërcënuese për mediat. Ai tha se flakët do shkojnë deri në Surrel. “Mazhoranca të kërkojë me ngulm të mos ketë opozitë në parlament.
Është unike dhe këtë e bëjnë vetëm regjimet narkos, Rama dhe zonja 5 mln euro e doganave e urrejnë opozitën, kanë tmerr opozitën. Ajo flaka e karrigeve i ka tmerruar, se shohin që gjuhët e asaj flake mund të lëpijnë diku nesër nga Surreli apo thasët e parave që kanë fshehur. Ata që kanë vjedhur pronën publike, ata që kanë vjedhur 10 mld euro në këto vite, qajnë me lot krokodili pasurinë e famshme publike të një karrigeje. Kjo është fytyra e këtij regjimi, narko, bandë hajdutësh. Mendojnë se me kërcënime të tilla mund ta intimidojnë opozitën. Ka mbaruar ajo ditë kur ata bënin ç’të donin me opozitën”, deklaroi Noka.r
