Mark Rutte merr udhëheqjen e NATO-s, REL analizë: Njihet për talentin e tij që të arrijë kompromise të vështira

Data

Më 1 tetor, Mark Rutte mori postin e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s nga norvegjezi Jens Stoltenberg. Rutte, që ishte kryeministri më jetëgjatë në historinë e Holandës, shihet si një “kandidat i vazhdimësisë”. Sikurse Stoltenbergu, i cili shërbeu për një dekadë në krye të aleancës ushtarake, Rutte njihet për talenti e tij që të arrijë kompromise të vështira politike. Ai gëzon mbështetje të madhe në mesin e shteteve kyçe anëtare.

Do të jetë një fillim i butë për holandezin. Më 17-18 tetor, në selinë në Bruksel do të mbahet takimi vjetor i 32 ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Më pas, ministrat e Jashtëm do të mblidhen në kryeqytetin belg më 3-4 dhjetor. Megjithatë, nuk pritet që këto takime ministrore të prodhojnë ndonjë rezultat të madh.

Fillimisht, Rutte pritet që të zhvillojë vizita në kryeqytetet kyçe të NATO-s. Edhe pse është larg, ai po ashtu duhet të nisë përgatitjet për samitin e NATO-s që do të mbahet më 24-26 qershor 2025 në vendlindjen e tij, Hagë. Në mënyrë që të çimentojë pozitën e tij brenda organizatës ushtarake, është e rëndësishme që ky samit të ketë sukses. Në krye të agjendës së tij, janë tri çështje që ai pritet t’i trajtojë: mbrojtja kolektive e NATO-s, mbështetja për Ukrainën dhe një strategji e re për Rusinë.

Asnjë nga këto gjëra nuk është e re. Në fakt, Stoltenbergu e shpenzoi shumicën e mandatit të tij duke u marr me të njëjtat gjëra. Norvegjezi ishte, sipas diplomatëve me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, gjithmonë duke kërkuar që të përdorej dykuptimësi në komunikatat e NATO-s sa i përket Ukrainës. Ai po ashtu raportohet se ishte kyç në sigurimin e një qendre komanduese për Ukrainën në qytetin gjerman të Viesbadenit, për të koordinuar ndihmën e sigurisë për Kievin.

Në të ardhmen, Rutte do të jetë përgjegjës në tranzicionin e organizatës nga një lloj ndërmarrjeje disi amerikane në një që do të përfshijë numër më të madh të aleatëve të NATO-s. Me gjasë, ai po ashtu do të angazhohet për vazhdimin e mbështetjes së aleancës për Ukrainën e shkatërruar nga lufta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related