Analisti i njohur, Frrok Çupi në analizën e tij të fundit trajton ngjarjen tragjike të Gërdecit si një refleksion të thellë mbi politikën dhe përgjegjësinë në Shqipëri. Ai risjell deklaratat e ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara kur Gërdeci shpërtheu, i cili në vend që të pranojë realitetin e një katastrofe që kushtoi jetën e 26 njerëzve, zgjodhi të minimizojë pasojat dhe të fshehë përgjegjësit e vërtetë. Çupi vë në dukje se kjo praktikë që vazhdon të ndiqet edhe sot rrezikon stabilitetin dhe zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Në analizën e tij, analisti thotë se familja “Berisha” përdori drejtësinë dhe vartësit e tyre që të fshihnin fajtorët e vërtetë të ngjarjes, ku ishin të implikuar ministra dhe agjentë, ku në këtë rast Çupi përmend Fazlliç. Nga ana tjetër, Çupi jep alarmin se Berisha po bëhet gati të kthejë ’97. Sipas tij, ai po kërkon në fshehtësi që shteti të bjerë copë- copë përtokë e njerëzit të hanë njëri tjetrin dhe njësoj si në rastin Gërdeci, ai nuk do të mbajë përgjegjësi.
Ja analiza e plotë e Frrok Çupit
Ajo çfarë guxoi ambasadori atëherë, më erdhi prapë në ekranin e Reuters, tani pas 16 vjetësh. Ai ishte ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara kur Gërdeci shpërtheu në tragjedi të përbotshme, 15 mars 2008. Bota u tmerrua me vrasjen makabër të 26 njerëzve, mes të cilëve katër fëmijë. Gazeta ‘New York Times’ shkroi një artikull të plotë me titull “Supplier Under Scrunity on Arms for Afganistan’. Vetëm ky shkaktoi debat në Parlament. Kryeministri Berisha e hodhi poshtë artikullin, duke e quajtur ‘letër higjienike’.
Edhe ambasadori i Shqipërisë në OKB, Adrian Neritani, vuri ‘veton’. Ai deklaroi para përfaqësuesve të botës në Kombet e Bashkuara dhe para mediave se ‘asgjë nuk kishte ndodhur’. “Koha do të provojë se të gjitha faktet në artikull janë të pabaza”, deklaroi ambasadori i Shqipërisë. E transmetoi Reuters, AP, DPA, ANSA, AFP. Sigurisht, bota nuk dyshoi se shpërthimi kishte ndodhur dhe se 26 njerëz kishin vdekur në zjarrin e predhave. Bota nuk dyshoi edhe se vetëm ‘dy njerëz, dmth, ambasadori dhe kryeministri’ qenkan normalë; ndërsa të gjithë të tjerët ‘të fantaksur, që u duket sikur shpërtheu fabrika e municioneve e vrau njerëz’, por në fakt jo.
I bie që këta të fantaksur të jenë 3, 4, 6, deri 10 milionë shqiptarë, përveç dy vetëve. Me gjithë këtë goditje kundër kombit të vet, ambasadori kreu një ushtrim nervash, që sot do të quhej edhe ‘i duhuri’. Ambasadori Neritani, ndoshta është i rrallë që guxoi të vërë vulën e tij para njerëzimit, edhe pse vulën e të keqes, kur deklaron se ‘jam unë garant që në Shqipëri nuk ka ndodhur shpërthimi i Gërdecit’.
