Austriakë kanë filluar të votojnë mëngjesin e së dielës për ta zgjedhur Parlamentin e ri, ku partia e së djathtës ekstreme, Partia e Lirisë (FPO), synon ta korrë fitoren e parë në zgjedhje të përgjithshme në një garë të ngushtë me partinë konservatore në pushtet, Partia Popullore Austriake.
Fushatë zgjedhore u mbizotërua nga shqetësimet e votuesve për ekonominë dhe emigracionin.
FPO-ja kryesoi me muaj të tërë në sondazhet publike, por epërsia e saj ndaj partisë konservatore (OVP) është tkurrur pothuajse plotësisht, pasi kancelari Karl Nehammer e paraqiti veten si burrështetas dhe e përshkroi rivalin e vet, liderin e FPO-së Herbert Kickl, si një njeri të rrezikshëm dhe toksik.
Kushdo që i fiton këto zgjedhje nuk do të arrijë ta fitojë edhe shumicën në Parlament, sipas sondazheve, por do ta gëzojë të drejtën për ta udhëhequr koalicionin qeveritar.
Qendrat e para të votimit u hapën në orën 7:00 dhe do të mbyllen në orën 17:00. Rezultatet preliminare pritet të bëhen publike menjëherë pas mbylljes së votimit.
