Kreu i PD-së, Sali Berisha, sërish në fjalimin e mbajtur në tubimin e sotëm, fokusin e ka vendosur tek burgosja e deputetit, Ervin Salianji për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
Berisha deklaroi se Ervin Salianji tregoi me prova se si vëllazëria Xhafaj ishte vëllazëria më e rrezikshme mafioze në Vlorë në atë kohë. Lideri demokrat shtoi më tej se vëllazëria Xhafa, me njërin vëlla ministër dhe tjetrin drejtues të trafiqeve në portin e Vlorës, zotërues të lojërave të fatit, siç thuhet edhe me Olsi Ramën, prisnin dhjetëra e qindra milionë para droge dhe krimi, që sot derdhen në kullat e Tiranës.
Gjithashtu, Berisha hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama për trafikun e drogës të vëllezërve Xhafaj, duke e konsideruar si aksioner teksa sipas tij, kryeministri e ka të qartë se edhe Olsi Rama do të ketë të njëjtin fat si Geron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafajt.
Berisha ka hedhur akuza edhe ndaj George dhe Alex Soros, duke i konsideruar si armik të egër të shqiptarëve, si mbrojtës të vjedhjeve, krimit dhe drogës në Shqipëri, dhe si padrino të Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Lideri demokrat bëri thirrje që George dhe Alex Soros të shpallen non grata në Shqipëri.
Po ashtu, Berisha iu bëri thirrje për pjesëmarrje në protestën e 6 Tetorit, në betejën pa kthim siç e konsideroi ai.
