Bashkia Fier shkel ligjin, shoku i zyrtarit vjedh mbetjet e riciklueshme nga landfilli

Data

Skandali i inceneratorëve mund të konsiderohet pa frikë si afera më e madhe korruptive në historinë e Shqipërisë, e cila i ka kushtuar taksapaguesve shqiptarë qindra miliona euro. Një skemë e mirëmenduar e shtrirë në tre qytete, përfshi edhe Fierin, ku djegësi aq i reklamuar, nuk është vënë asnjëherë në punë, duke bërë që malet me mbetje të pushtojnë periferinë, dhe të krijojnë një vendgrumbullim që shërben si stacion transferimi drejt landfillit të qytetit. Dhe kur gjërat marrin për keq, gjendet gjithmonë dikush që me pretekstin se do zgjidhë punë, përfiton nga kaosi. Në rastin e Fierit, personi që zgjidh punët, quhet Soni Hoxha.

Ai administron një godinë private, e cila është vetëm 50 m larg nga stacioni i transferimit të mbeturinave të Bashkisë Fier. Çdo ditë, ai dërgon punëtorët e tij romë te godina shtetërore, ku bëjnë selektimin e mbetjeve urbane dhe më pas, nga aty me anë të një kamioni të vogël këto mbetje transportohen te objekti i tij privat.

Përpara se të vazhdojmë historinë me Sonin dhe betejën e tij për çlirimin e Fierit nga mbeturinat, duhet të bëjmë një sqarim të nevojshëm. Ai ka lidhje të ngushtë miqësore me drejtorin e pastrim-gjelbërimit të Bashkisë Fier, person që i bie të jetë përgjegjës direkt për menaxhimin e mbetjeve.

Për ta bërë të qartë edhe për ju, edhe vendosja e objektit privat në një distancë aq të afërt, edhe angazhimi i punetorëve privatë në mbledhjen dhe seleksionimin e mbetjeve, është një strategji për të fshehur gjurmët, dhe për të krijuar idenë se këta hallexhinj, punojnë për veten e tyre, ashtu si qindra të ngjashëm në të gjithë vendin.

Lidhur me ketë shkeje te ligjit drejtori i pastrimit, Fatjon Elezaj mundohet gjatë gjithë kohës të na mbushë mendjen se me ketë që po bëjmë, po i heqim bukën disa hallexhinjve që mbledhin kanaçe dhe plastika në pikën e grumbullimit të mbetjeve. Por e vërteta është ndryshe. Asnjëri nga këta persona në nevojë nuk lejohet të punojë për veten. Është Soni padroni i tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related