Një privilegj dhe një shpërblim të punëve që kanë transformuar Tiranën”, kështu e vlerësoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pjesëmarrjen e kryeqytetit shqiptar në panelin e OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Qyteteve në Nju Jork. Paneli koordinohet nga kryebashkiakët e Parisit dhe Rio de Janeiro dhe ka për qëllim zhvillimin e mekanizmave inovativë dhe reformave politike për të siguruar akses më të madh të qyteteve në financimin e qëndrueshëm.
Nga Nju Jorku, ku ishte i ftuar në Komisionin për Zhvillimin e Qendrueshëm Urban, Veliaj tha se Tirana do të vijojë të investojë te mbjellja e pemëve, korsitë e biçikletave dhe hapësirat pedonale. “Ka qenë një javë e jashtëzakonshme në Nju Jork, ku Tirana është bërë pjesë e panelit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për qytetet. Një panel i cili përfshin kryetarë bashkie nga Rio de Zhaneiro në Paris, dhe për Tiranën tonë është një privilegj i jashtëzakonshëm që jemi në këtë nivel dhe shembullin tonë mund ta ndajmë me të tjerët. Tirana nuk është perfekte, por pemët që janë mbjellë, korsitë e biçikletave, hapësirat pedonale që janë krijuar te sheshi “Skënderbej”, te Pazari i Ri, Liqeni i Farkës, Liqeni i Tiranës, kanë kontribuar që ajri të jetë më i shëndetshëm, që turizmi të rritet, që Tirana të quhet një vend që, jo vetëm po zhvillohet, por zhvillohet në një mënyrë të qëndrueshme, pa dëmtuar natyrën”, tha Veliaj.
