Kryeministri Edi Rama njoftoi për planet për krijimin e “Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi” në Tiranë. Kryegjyshata Botërore e mirëpriti lajmin, ndërkohë që lëvizja u prit me habi dhe skepticizëm nga opinioni publik. Teksa shpallte planin e tij për krijimin e një shteti sovran të urdhrit bektashi shiit sufi, kryeministri Edi Rama zgjodhi të perifrazojë nobelisten shqiptare Nënë Tereza: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.
Duke folur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara gjatë së dielës, Rama tha se enklava sovrane, që do t’i ngjasojë Vatikanit, do të jetë një “qendër e re moderimi, tolerance e bashkëjetese të paqtë”. I themeluar gjatë shekullit të trembëdhjetë në Perandorinë Osmane, Urdhri Bektashi e zhvendosi qendrën e tij në Tiranë që prej vitit 1929. Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë në sipërfaqen prej 27 hektarësh, mikro-shtetin e quajtur “Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, i cili do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij.
Kryegjyshata mirëpret “nismën e jashtëzakonshme”
Lajmi u bë publik pas artikullit të së shtunës në “New York Times”, aty ku Rama bëri të njohur për herë të parë krijimin e një shteti të ri mysliman brenda kryeqytetit shqiptar. Kryeministri e shpalli zyrtarisht këtë projekt një ditë më pas, nga selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për udhëheqësin e bektashinjve, Haxhi Dede Baba, i njohur si Baba Mondi, kjo është një “nismë e jashtëzakonshme, e cila do të sjellë një epokë të re për tolerancën fetare botërore dhe promovimin e paqes.
“Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative” – u tha në reagimin zyrtar të Kryegjyshatës.
