Erling Haland s’arriti ta thyejë rekordin e Kristiano Ronaldos me 100 gola në 104 ndeshje

Data

Krahasimet me Kristiano Ronaldon ndonjëherë masin se në çfarë lartësie është rritur një lojtar. Kështu, Erling Haland dështoi ta thyejë rekordin e Kristiano Ronaldos për arritjen më të shpejtë të 100 golave me një klub. Përfaqësuesi norvegjez hyri në ndeshje me Interin në Ligën e Kampionëve mbrëmë me bindjen që ta thyejë këtë rekord pasi i kishte 99 gola në 103 ndeshje me Mançester Sitin. Një gol eventual ndaj “Nerazzurri” do ta bënte atë ta shkruajë historinë pasi do t’i arrinte 100 gola në 104 ndeshje. Kurse, CR7 e kishte arritur shifrën e 100 golave pas 105 ndeshjesh të zhvilluara me Real Madridin. Sidoqoftë, edhe pse nuk arriti ta thyente rekordin e legjendës portugeze, norvegjezi të paktën mund ta barazojë rekordin e pesë herë fituesit të Topit të Artë. Në fakt, ish-futbollisti i Salzburgut dhe Borusia Dortmundit do ta kërkojë golin e 100-të me “Citizens” në fundjavë në ndeshje me Arsenalin në Premierligë.

Nëse e arrin një gjë të tillë do t’i bashkohej Ronaldos si njëri prej dy lojtarëve që e kanë arritur shifrën e 100 golave me një klub të vetëm më së shpejti në histori të futbollit. Pas barazimit të mbrëmshëm pa gola ndaj Interit, trajneri Pep Guardiola e mbrojti Halandin duke thënë se për ta ruajtur norvegjezin përkujdeseshin gjashtë lojtarë, tre prapa dhe tre përpara, për t’ia pamundësuar kështu që të shënonte gol. Ndërkohë, Ronaldo vijon të thyejë rekorde edhe pse po shkon 40 vjeç. Pensionimi nga futbolli aktiv duket larg dhe këtë e konfirmoi edhe e dashura e tij Xheorxhina Rodriguez. Me rastin e daljes së episodeve të rinj në tv Netflix “Unë, Georgina”, dedikuar gruas së tij, kanë dalë kuriozitete të reja rreth karrierës së CR7.

Gjithashtu, bukuroshja argjentinase me pasaportë spanjolle foli edhe për vendimin për të zbarkuar me Saudi Pro League në vitin 2023. “Kur Kris më tha se do të luante në Al-Nasr, u ndjeva e çliruar sepse mezi prisja të largoheshim nga Mançesteri. E dija se po na prisnin gjëra të mëdha dhe të gjithë ishim super të motivuar. Isha mjaft e lumtur për t’u transferuar në Arabinë Saudite”, deklaroi fillimisht ajo. Xheorxhina Rodriguez ndër të tjera foli edhe për fundin e karrierës së 39 vjeçarit, pesë herë fitues i Topit të Artë dhe pesë herë fitues i Ligës së Kampionëve.

“Është e pabesueshme se si edhe sot futbolli e motivon ende si në ditën që e kam njohur. Do të japë gjithmonë gjithçka nga vetja. Kur njerëzit më pyesin se kur do të pensionohet Kristiano, unë ju them se mund të pensionohet kur të jetë 50 vjeç”, thotë Xheorxhina duke buzëqeshur. Natyrisht, është veç një shaka pasi Ronaldo pritet t’i vendos këpucët në gozhdë brenda 2-3 vjetësh.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related