Argita Malltezi, vajza e ish-Kryeministrit Sali Berisha u shpreh mbrëmjen e sotme se gazetarët duhen paditur në gjykatë.
“Nuk ndjehem krenare kur padis në gjykatë një gazetar, por kjo më ka kushtuar mua duke mos i paditur. Kemi pasur kosto jashtë vendit pikërisht për këtë sepse qoftë unë, qoftë Shkëlzeni nuk kemi paditur gazetarë në gjykatë”, tha Malltezi në një emision televiziv.
E pyetur nëse ka apo jo besimte drejtësia apo te gjykata, Malltezi tha se ka besim te e vërteta, ndërsa e konsideroi drejtësinë në Shqipërinë si të kapur.
“Ligji 9516 që flet për organet e drejtësisë, thuhet se SPAK ka të drejtë të survejojë gjyqtarët. Ku ka një vend në Botë që prokuroria të survejojë gjyqtarët?”, tha Malltezi.
Ajo pohoi se në sistemin e drejtësisë ka gjyqtarë të ndershëm, për të cilët mund të bëhet çmos që këta gjyqtarë që nuk kapen të mos jenë pjesë e shortit apo trupës gjykues, në rastin e gjykimit të dosjes së privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
