Në debatin mes kandidates demokrate për presidente Kamala Harris dhe atij republikan Donald Trump më pak se dy muaj përpara ditës së zgjedhjeve, dolën në pah edhe dallimet e tyre për çështjen e emigracionit. Por, pavarësisht qëndrimeve të tyre të ndryshme mbi këtë çështje, asnjëri kandidat nuk ka ofruar deri më tani një propozim gjithëpërfshirës për emigracionin.
Emigracioni ishte një temë e rëndësishme gjatë debatit të parë presidencial. Ndërsa Nënpresidentja Kamala Harris nuk iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me numrin e shtuar të emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë, ish- Presidenti Donald Trump përsëriti pretendimet e tij të rreme se emigrantët kanë shkaktuar një rritje të krimit, duke thënë në të gjithë botën krimi është ulur, ndërsa në Shtetet e Bashkuara është rritur për shkak të hyrjes në vend të miliona emigrantëve.
Studimet tregojnë se emigrantët kanë më pak gjasa të kryejnë krime sesa njerëzit e lindur në Shtetet e Bashkuara.
Por në tubimet e tij elektorale, zoti Trump mban një qëndrim të ashpër për emigracionin, duke premtuar se do të intensifikojë përpjekjet e tij për trajtimin e kësaj çështjeje nëse bëhet sërish president.
“Nëse fitoj, në ditën e parë, ne do të fillojmë operacionin më të madh të dëbimit të emigrantëve në historinë e Amerikës”, tha ai.
