Në shumë zona të kryeqytetit, si: zona pranë Pediatrisë, Alliasi, Fresku, Astir, tashmë prej ditësh paraqitet një situatë emergjente për largimin e plehrave. Në shumë lagje të kryeqytetit shikon kazanë të tejmbushur me mbetje familjare, të cilat vonojnë me ditë të tëra për largimin e tyre.
Kjo situatë e rëndë ekologjike me kazanë të tejmbushur, që përhapin erë të pakëndshme në një zonë të kryeqytetit, sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është krijuar nga braktisja e punës së operatorit privat, i cili po bën presion për zgjatje të kontratës.
Z.Veliaj sqaroi gjatë një aktiviteti për inspektimin e punimeve për shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” se tashmë, Bashkia e Tiranës ka marrë në administrimin e saj, përmes kompanisë publike Eco Tirana, të gjitha zonat e pastrimit të qytetit, shërbim që deri dje kryhej nga kompanitë private, të cilat ditët e fundit e kishin braktisur punën, si formë presioni për zgjatjen e kontratës.
“Tirana është e ndarë në 5 zona: zona qendrore dhe zonat në veri, jug, lindje dhe perëndim. Në një nga zonat, operatori privat ka lënë detyrën. Një detyrë, të cilën duhet ta linte në datën 1 nëntor, siç e parashikon kontrata.
Por, duke mos pasur interes që ta vazhdojë punën pas 1 nëntorit, e ka lënë që tani. Kjo shpjegon gjithë histerinë e pastrimit për një zonë të Tiranës.
