Ish-kryeministri Sali Berisha pas shumë kohësh nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” do të lërë nesër banesën e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” për t’u paraqitur në SPAK. Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi do të jenë përballë dy prokurorëve të çështjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, të cilët do t’i komunikojnë edhe akuzën. Mësohet se Berisha dhe avokatët janë njohur me fletëthirrjen dhe se do paraqitet në SPAK. Fletëthirrja i ka mbërritur edhe dhëndrit Jamarbër Malltezi, i cili po ashtu ndodhet në masën arrest shtëpie. Ai do të paraqitet në SPAK dy orë pas vjehrrit për t’u njohur me akuzën. Siç e do procedura, Berisha dhe Malltezi do duhet të shoqërohen nga avokatët, ndërsa për shkak të masës arrest në shtëpi do duhet edhe që oficerët e policisë t’i shoqërojnë nga banesa drejt godinës së SPAK.
Akuzat
Ende nuk bëhen me dije akuzat që SPAK do i komunikojë Berishës dhe dhëndrit të tij, por dihet se Berisha është nën hetim për veprën penale Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim, ndërsa Malltezi për “Korrupsioni pasiv i funksionareve te larte shtetërore ose te zgjedhurve vendore”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve te veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Kodi penal parashikon nga 4 deri në 12 vite burg nëse akuza provohet. Nuk përjashtohet mundësia që gjatë hetimeve SPAK të ketë ndryshuar akuzën, ose të rëndojë pozitën e ish-kryeministrit dhe dhëndrit të tij, duke pasur parasysh që ndaj familjes Berisha dhe Malltezit ka nisur edhe një hetim i hollësishëm pasuror, ku janë venë nën sekuestro preventive edhe 25 pasuri. Ky hetim u bë shkak për zgjatjen disa herë të hetimeve ku afati për zgjatjen e fundit është 2 tetori.
Kjo është hera e dytë që Berisha dhe Jamarbër Malltezi janë thirrur në SPAK. Herën e parë ata u thirrën për të marrë ne pyetje në cilësinë e personave nën hetim, ndërsa nesër do të paraqiten për t‘u marrë të pandehur zyrtarisht. Për këtë dosje, Prokuroria e Posaçme ka vënë në hetim edhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, i cili aktualisht është në masën detyrim paraqitje. Ai është hetuar për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, por ende nuk dihet se kur do i komunikohet akuza.
Dosja e plotë
Gjithçka nisi në vitin 2008 dhe u mbyll brenda pak muajsh. Pronat ku ndodhej kompleksi ishin në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por Berisha në kohë rekord ja u dha ato disa personave që pretendonin se ishin pronarë. Interesantja është se përfaqësuesi ligjor i tyre ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës. Sipas marrëveshjes, Malltezi do të merrte jo më pak se 5 për qind të vlerës së pronave të kthyera. Sot ka me mijëra shqiptarë që luftojnë prej 30 vitesh për pronat e tyre dhe akoma nuk i kanë marrë, por ajo që bie në sy është se pronat e Klubit Partizani u kompensuan brenda 6 muajsh. Procesi nisi në qershor 2008 dhe në dhjetor gjithçka mbaroi. Pra këtu pati rol vendimtar dyshja Berisha-Imami.
Shkeljet
Nga ana tjetër aty kemi një kompensim në qendër të Tiranës me vlerë tepër të ulët. Janë rreth 33 mijë metër katror tokë, ku shteti ka dhënë për pronarët 100 milionë lekë. Metoda e kompensimi përdorur nga grupi i ekspertëve është në kundërshtim të hapur me VKM 794 datë 21.11.2007 dhe të Udhëzimit Nr. 6364 datë 03.07.2008 “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe procedurën e shitjes”, të cilët përcaktojnë që vlera e objekteve të privatizuara duhet t’i referohet çmimit të tregut të lirë. Vitet e fundit, në atë tokë janë ndërtuar dhjetëra kulla, disa prej të cilave në pronësi të Jamarbër Malltezit. “Fakti i mësipërm i kthimit të pronës tek persona të lidhur me pushtetin dhe posaçërisht tek dhëndri i ish-Kryeministrit të asaj kohe (viti 2008) si dhe qëllimi tij për të ndryshuar destinacionin dhe ta kthejë në një kantier ndërtimi duke ndërtuar në finale 17 kulla banimi e shërbimesh disa katëshe, provohet dhe me themelimin në të njëjtën kohë të shoqërive Homeplan shpk si dhe Kontakt shpk.
Vetë i dyshuari Jamarbër Malltezi është trashëgimtar që rrjedh nga familja Begeja në masën e 1/64 pjesës takuese që e përthyer në sipërfaqe rezulton të jetë 144m2 truall si dhe faktit që në përfundim të kësaj sipërmarrje ai ka mbi 60% të pronësisë së objekteve të ndërtuara, e cila tregon dhe njëherë synimet afatgjata dhe të mirë menduara të të akuzuarve në realizimin e qëllimeve të tyre”, thuhet në dosje. Më tej theksohet se skema e lidhjes për realizimin e kthimit të pronës tek personat e lidhur me funksionarët më të lartë të shtetit konstatohet që në procedurën që prona nuk ishte ende e kthyer tek familjet pretenduese si ish-pronarë, ortaku i mëvonshëm i të dyshuarit Jamarbër Malltezit del garantor për pagimin e detyrimit të blerjes së ndërtesave të ish- Kompleksit Sportiv Klubit “Partizani”.
