Partia Demokratike, në ditën e parë të shkollës, ka deklaruar se ka më pak nxënës të ulur në banka.
Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula u shpreh se 47% e fëmijëve të moshës shkollore jetojnë në varfëri ushqimore, duke e renditur vendin tonë të fundit në Evropë
Ndërsa theksoi se arsimi në Shqipëri ka financimin publik më të ulët në rajon.
Deklarata e plotë:
Dita e parë e shkollës është ditë e shënuar për të gjithë shoqërinë, por në mënyrë të veçantë; për familjet; për nxënësit dhe mësuesit tanë.
Partia Demokratike shpreh urimet më të përzemërta nxënësve të arsimit parauniversitar dhe në mënyrë të veçantë nxënësve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Partia Demokratike shpreh falënderimet dhe mirënjohjen më të thellë për mësuesit dhe prindërit, për gjithçka që ata bëjnë për realizimin e misionit të tyre në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, të rinisë sonë.
Viti i ri shkollor 2024-2025, e gjen shoqërinë, familjen dhe komunitetet tona shkollore në krizën më të thellë që ka përjetuar ndonjëherë sistemi ynë arsimor – krizë që ka kapur të gjitha burimet e sistemit arsimor dhe shfaqet në:
– pamundësitë e burimeve financiare;
– braktisjen e burimeve njerëzore;
– politizimin e plotë të drejtimit dhe administrimit të shërbimit arsimor;
– pamundësitë e infrastrukturave shkollore;
– asgjësimin e kurrikulave dhe inventareve të mjeteve dhe pajisjeve të domosdoshme të mësimdhënies.
Ky viti i ri shkollor vjen në situatë tronditëse sa i përket rënies së numrit të nxënësve në shkolla. Në të gjitha Qarqet dhe Bashkitë e vendit raportohet rënie e mëtejshme e numrit të nxënësve të regjistruar në shkollë. Këtë vit do të kemi:
– më pak fëmijë në Kopshte;
– më pak nxënës në Arsimin Bazë;
– më pak nxënës në Arsimin e Mesëm!
– më pak nxënës në Arsimin Profesional!
Viti shkollor që fillon sot i gjen prindërit dhe familjen shqiptare më të varfër dhe më të pamundur për të arsimuar fëmijët e tyre.
Më shumë se 20% e fëmijëve të moshës shkollore nuk janë as në shkollë dhe as në punë!
Statistikat tregojnë se 47 % e fëmijëve të moshës shkollore jetojnë në varfëri ushqimore, duke e renditur vendin tonë të fundit në Evropë.
Viti shkollor që fillon sot, e gjen cilësinë e rezultateve shkollore të nxënësve të rrënuar. Rënia e rezultateve shkollore dhe renditja katastrofike e nxënësve tanë në Testimin PISA 2022, në lëndët e Matematikë, Lexim, Shkenca dhe Mendim Krijues, dëshmojnë realitetin rrënues të cilësisë së shërbimit arsimor dhe dështimin e kësaj qeverie në arsim!
Ky vit shkollor e gjen arsimin tonë parauniversitar me financimin publik më të ulët në rajon!
Viti shkollor që fillon sot, i gjen Mësuesit tanë me pagën më të ulët në Europë!
E ashtuquajtur rritje e pagës është e papërfillshme kundrejt kostos së jetesës dhe rritjes së përditshme të çmimeve. Propaganda e qeverisë në këtë drejtim, tregon mungesën e respektit ndaj stafeve arsimore dhe papërgjegjshmërinë për rëndësinë e edukimit në zhvillimin e vendit.
Viti shkollor që fillon sot e gjen profesionin e Mësuesit tërësisht të shkatërruar! Statusi i ulët ekonomik e social i mësuesit dhe programet e dështuara e klienteliste të formimit dhe zhvillimit të tyre profesional, e kanë bërë profesionin e Mësuesit të pamundur për t’u ushtruar dhe tërësisht të refuzuar nga të rinjtë tanë për ta përzgjedhur si profesion!
