Muhamet Rrumbullaku largohet nga drejtor i Policisë së Shtetit, ministri Hoxha zbulon kush e zëvendëson (Emri)

Data

Ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka njoftuar se Sokol Bizhga do të jetë drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, pas largimi nga posti të Muhamet Rrumbullaku, i cili komunikoi dorëheqjen mbrëmjen e djeshme.

“Në bazë të këtij ligji kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga”, tha ai.

Fjala e plotë:

Të nderuar përfaqësues të lartë dhe punonjës të Policisë së Shtetit,

Ju drejtohem publikisht pas marrjes së kësaj detyre të lartë 30 ditë më parë dhe një pune intensive, së bashku me ekipin drejtues të Ministrisë së Brendshme, për të piketuar segmentin e ri të rrugës sonë drejt Shqipërisë 2030.

Unë vij nga radhët tuaja, ku pas studimeve të larta në Turqi dhe Gjermani, kam hyrë që në moshë fare të re dhe kam pasur mundësinë të punoj e të mësoj nga më të mirët e trupës suaj.

E kam ndjekur rritjen e kësaj trupe, vështirësitë dhe sfidat e saj, nga brenda, në pozicione të ndryshme, dhe më pas nga jashtë, si një dashamirës besnik që kam pasur gjithnjë mes jush një pjesë të zemrës dhe të mendjes time.

Në harkun e 22 viteve, qëkur unë vetë vesha për herë të parë me emocion të paharrueshëm uniformën e rëndë të mbrojtësit të rendit e të sigurisë publike, e kam parë këtë trupë në ditë shumë të këqija dhe në ditë shumë më të mira se ato të fillimeve të mia.

Besoj se jam një dëshmitar mjaftueshëm objektiv për të thënë sot se, përparimi i dekadës së fundit është i jashtëzakonshëm, po të merret parasysh pika kritike ku ishte katandisur Policia e Shtetit dhe ndjenja dëshpëruese e braktisjes që përjetohej në radhët tona deri përpara 10 viteve.

Të papaguar, të paushqyer, të paveshur, të pambështetur me mjete dhe fuqi motorike dhe më e keqja fare, të tradhtuar në orët më kritike të operacioneve me rrezik jete, punonjësit e kësaj trupe bënin sa mundnin, po nuk bënin dot kurrsesi sa mundeshin.

Ishte koha kur rënia në krye të detyrës e drejtuesve dhe punonjësve të Policisë bënte pjesë në të përditshmen tonë dhe kur mesatarja e vrasjeve në Shqipëri, gjatë një viti, ishte mbi 100 persona, ose një i vrarë në tre ditë.

Nuk jam këtu për të bërë historinë e viteve të shkuara dhe as për të ulur peshën e asnjë ngjarjeje të rëndë që ndodh në ditët tona, kur shifrat e vrasjeve dhe të kriminalitetit në tërësi janë si dita me natën.

Referimi tek pikënisja e transformimit historik të Policisë së Shtetit në dekadën e fundit, nuk na duhet për të kërkuar lëvdata, por është i nevojshëm për të kuptuar se asnjë objektiv, sado ambicioz, nuk është i pamundur për ne.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related