Rusia nuk pret të ndërmjetësojë me sukses një zgjidhje të shpejtë të luftës në Ukrainë nëse Donald Trump bëhet president, tha Kremlini ditën e djeshme. Unë nuk mendoj se ka një shkop magjik. Nuk mund të bëhet brenda një dite,” tha zëdhënësi Dmitry Peskov në një intervistë për programin “Moskë. Kremlin. Putin” që do të shfaqet në televizionin rus të dielën. Peskov i referohej deklaratave të mëparshme të ish-presidentit amerikan dhe kandidatit republikan në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, i cili tha se do t’i jepte fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës brenda një dite. Peskov tha se një gjë e tillë është e mundur nëse “presidenti i ardhshëm amerikan shpall në fjalimin e tij inaugurues se SHBA është për paqen, prandaj i jep fund mbështetjes për Ukrainën”. “Atëherë ndoshta mendimi do të ndryshonte mëngjesin tjetër, veçanërisht në Kiev,” shtoi Peskov.
Ai theksoi se ky është vetëm një skenar hipotetik, duke marrë parasysh shtrirjen e ndihmës së SHBA për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara janë kryesisht pjesë e konfliktit për shkak të ndihmës ushtarake për Ukrainën, dhe për këtë arsye, marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit janë më të këqijat në “dekadat e fundit”, tha Peskov. Zëdhënësi i Kremlinit tha se Moska nuk po favorizon askënd në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA. Nga ana e tij, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka shtuar presionin ndaj Shteteve të Bashkuara për të lejuar që Kievi të godasë objektivat ushtarake thellë brenda territorit rus. Në fjalimin e tij me video, ai tha se pastrimi i qiellit të Ukrainës nga bombat ajrore ruse do të ishte “një hap i fortë për të detyruar Rusinë të kërkonte fundin e luftës dhe një paqe të drejtë”. Duke iu drejtuar Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, ai tha:
“Ne kemi nevojë për aftësitë për të mbrojtur vërtetë dhe plotësisht Ukrainën dhe ukrainasit”. “Ne kemi nevojë për lejet për aftësitë me rreze të gjatë dhe predhat dhe raketat tuaja me rreze të gjatë.”
