Konfliktet nuk janë gjithmonë një dobësi, shkruan The Economist
Mandati i Jerome Powell si kryetar i Rezervës Federale, ka qenë jashtëzakonisht i sigurt. Por më 31 korrik, ai shkaktoi pakënaqësi kur njoftoi se normat e interesit do të mbeten në nivelin 5.25-5.5%.
Ky vendim shpejt u pasua nga të dhëna të dobëta të punësimit. Më pas, tregjet në mbarë botën ranë, pasi investitorët u shqetësuan se Rezerva Federale kishte mbetur mbrapa hapave të tregjeve.
Ndërkohë, Banka e Anglisë ishte në një gjendje shumë më të rehatshme, duke pasur parasysh rrethanat. Më 1 gusht, politikëbërësit e saj kishin votuar për të ulur normat e interesit nga 5.25%, në 5%.
Në një vështrim të parë, ky mund të duket si një gjykim i drejtë, por në fakt nxjerr në pah të vërteta të thella mbi çështjen se si vendoset politika monetare. Vendimi i Bankës së Anglisë mund të kishte qenë shumë ndryshe.
Pesë anëtarët optimistë mbi të ardhmen e tregjeve përbënin shumicën dhe fituan mbi katër kolegët e tjerë pesimistë, të cilët dëshironin që normat e interesit të qëndronin të pandryshuara.
Rezerva Federale, e cila i jep shumë më tepër vlerë konsensusit të përgjithshëm, nuk do të arrinte dot lehtësisht në këtë vendim.
Në shumë shtete të tjera, do të ishte e pamundur të diheshin pikëpamjet individuale, sepse politikëbërësit monetarë debatojnë prapa dyerve të mbyllura dhe më pas e paraqesin vendimin si unanim në publik.
Funksioni i bankave qendrore
Ekonomistët tani pajtohen gjerësisht mbi mënyrën se si duhet të funksionojë një bankë qendrore. Së pari, ajo duhet të jetë e pavarur dhe jo të ndjekë tekat e politikanëve.
Së dyti, duhet të përqendrohet në kontrollin e inflacionit në një periudhë afatmesme. Dhe së treti, duhet të ketë staf që është emëruar me meritë.
Sidoqoftë, mbetet një pyetje pa përgjigje në lidhje me funksionimin e bankave qendrore.
Si duhet ta përcaktojnë ato politikën monetare? Kjo nuk ka të bëjë me çështjen nëse është më e mirë një qasje pesimiste apo optimiste në caktimin e politikës monetare, por me mekanikën e vendimmarrjes, e cila nuk është e caktuar ngurtësisht nga ekonomistët, por ndryshon sipas shteteve.
Deri në vitin 2019, Banka Qendrore e Zelandës së Re, e cila dallohet si një institucion që sjell risi në fushën e politikës monetare, ndiqte një qasje të skajshme.
Guvernatori i saj i vendoste vetë normat e interesit. Kalimi i Zelandës së Re në një sistem komiteti, ishte një veprim mjaft i mençur, sepse një strukturë e tillë zbut rrezikun në rastin kur njeriu në detyrë është i paaftë.
Në vitet 2000, studiuesit kryen eksperimente me disa studentë të ekonomisë në Shkollën Ekonomike të Londrës, Universitetin Princeton dhe Universitetin e Kalifornisë.
Ata përdorën një model të thjeshtë ekonomik të drejtuar nga kompjuteri, që i nënshtrohej goditjeve të rastësishme.
Studentët duhej të përgjigjeshin ndaj këtyre goditjeve, duke ndryshuar normat e interesit dhe më pas ata u renditën mbi faktin se sa mirë kishin arritur ta mbanin papunësinë në nivelin 5% dhe inflacionin në nivelin 2%, gjatë 20 tremujorëve financiarë.
Në çdo rast, komisionet dilnin më të aftë se sa individët. Dhe me të vërtetë, ka shumë studime empirike që tregojnë se komitetet e drejtuara mirë, ndihmojnë në zbutjen e perspektivave të skajshme, ulin shanset për një gjykim të dobët dhe mundësojnë më shumë mbrojtje nga trysnia politike dhe vetjake.
Dilema
Përtej pyetjes së drejtpërdrejtë nëse normat e interesit duhet të vendosen nga një njeri i vetëm apo nga një grup, në botën e politikës monetare ka edhe një ndarje tjetër, ajo midis qasjes individualiste të komiteteve, si në Britani dhe vendet nordike, dhe qasjes kolegjiale, si në rastin e Bankës Qendrore Europiane.
Sipas modelit individualist, politikëbërësit shprehin pikëpamjet e tyre, argumentojnë për pozicionin e dëshiruar të politikës monetare dhe më pas votojnë për veprimin që parapëlqejnë dhe votat publikohen më vonë.
Anëtarët mund të tregojnë publikisht mosmarrëveshjet e tyre. Në të kundërt, në një sistem kolegjial, debatohen mundësitë dhe më pas arrihet një vendim i përbashkët, të cilin e mbështesin publikisht të gjithë anëtarët.
Në një bankë si BQE, synimi është që të arrihet një marrëveshje e përbashkët dhe votat individuale nuk bëhen publike.
Rezerva Federale e Amerikës, është e një forme hibride. Anëtarët e Komitetit Federal të Tregut të Hapur (FOMC), ndjekin bindjet e tyre vetjake dhe votat individuale bëhen publike.
Në të njëjtën kohë, institucioni i kushton rëndësi të madhe pajtimit në grup.
Alan Blinder, një ekonomist në Universitetin Princeton dhe ish-anëtar i FOMC-së, ka argumentuar se nën drejtimin e kryetarit të Rezervës Federale Alan Greenspan, nga viti 1987 deri në vitin 2006, FOMC-ja ishte një “sistem kolegjial autokratik”, ku kryetari diktonte konsensusin dhe anëtarët e tjerë duhej të bindeshin. Zoti Greenspan dikur i paralajmëronte kolegët se një votë e ndarë do të sillte “probleme serioze për organizatën”.
Nën drejtimin e Ben Bernanke, Janet Yellen dhe zotit Powell, Rezerva Federale ka qenë më pak e mbizotëruar nga një individ. FOMC-ja përbëhet nga shtatë guvernatorët e përhershëm të Rezervës Federale, së bashku me presidentin e Rezervës Federale të Nju Jorkut dhe katër nga 11 presidentët e tjerë rajonalë të Rezervave Federale, që janë me rotacion.
Asnjë guvernator nuk ka kundërshtuar një vendim politik që nga viti 2005, por presidentët janë më të gatshëm të shkojnë kundër rrymës.
Më i miri
Cili sistem është më i mirë? Kjo është pak a shumë si të pyesësh nëse është më e mirë një makinë me marshe automatike apo manuale. Varet nga ajo që po kërkon.
Komitetet individualiste zakonisht ecin më shpejt. Për të ndryshuar politikën, është më e lehtë të grumbullosh pesë vota nga nëntë anëtarët e Komitetit të Politikës Monetare të bankës, sesa të arrish një pajtim të plotë siç synojnë BQE-ja ose Rezerva Federale Amerikane.
Banka e Anglisë ishte një nga bankat e para qendrore të vendeve të pasura, që filloi të shtrëngonte politikën monetare në vitin 2021 dhe gjithashtu ishte ndër të parat që filloi shkurtimin monetar këtë vit. Një sistem i tillë mbron edhe nga rreziku i të menduarit në grup.
Por kjo shkathtësi ka edhe mangësi. Edhe pse nevoja për pajtim mund të ngadalësojë vendimmarrjen, ajo gjithashtu i lejon politikëbërësit që t’i drejtohen me një zë më të qartë dhe të fortë tregjeve financiare dhe shmang kakofoninë e sinjaleve kontradiktore.
Kur bëhet fjalë për politikën monetare, rruga që ndiqet për caktimin e normave të interesit, mund të jetë një mjet po aq i rëndësishëm sa vetë niveli i normave. Aftësia për t’i dërguar tregjeve një mesazh të vetëm dhe të qartë, është jashtëzakonisht e dobishme.
Shumicën e kohës, ndikimi mbi pritshmëritë e normave të interesit, është më i vlefshëm se sa shkathtësia. Por jo gjithmonë. Përfytyroni një skenar ku ka shenja se tregu i punës po dobësohet, inflacioni është mbi objektivin e synuar dhe tregjet janë të trazuara.
Në një gjendje të tillë, kur kërkohet një ndryshim në regjimin e politikës monetare, mund të jetë më e dobishme që politikëbërësit të jenë të hapur në lidhje me mosmarrëveshjet. Për një herë të vetme, mund të themi se është më mirë të jesh britanik sesa amerikan.
