Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar në protestën e mbrëmjes së sotme se roli i çdo demokrati dhe demokrateje është jetik dhe vendimtar për të ndriçuar mendjet dhe zemrat e shqiptarëve për të mbrojtur qytetarët nga një agresion mediatik, të cilin e kanë njohur vetëm në diktaturë.
Lidhur me skandalin e ndryshimit të fytyrës së heroit historik kombëtar, Berisha u shpreh para qytetarëve se, lakej skulptori i dha Skënderbeut fytyrën e Ramës dhe e transformoi në Car Stefan Dushan. Me tone tepër të ashpra lideri demokrat, Sali Berisha iu drejtua kryeministrit Rama duke i thënë se në asnjë qelizë të tij nuk ka pikë gjaku prej shqiptari, duke vënë fytyrën e tij të pisët mbi imazhin e heroit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Për sa i përket turizmit që Rama ka propaganduar prej kaq kohësh, Berisha solli në vëmendje shifrat e mediave serioze europiane, të cilat tregojnë se vjet qeveria e Ramës ka pritur 10 milionë mashtrime dhe sivjet nuk figuronte në asnjë nga statistikat e suksesit.
Deklarata e plotë:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohje më të pakufijshme ndaj jush guximtareve dhe guximtarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar
Mirënjohje të pakufijshme oratorëve të parlamentit të lirisë që shpërndajnë çdo natë në të katërta anët e vendit të vërteta që nxjerr propaganda e mashtrimit qeveritar. Që nxjerrin çdo natë në pah fytyrën e vërtetë të narko-regjimit dhe kreut të tij, Edi Rama.
Të dashur miq, nuk ka sot popull në Europë që të ketë një propagandë kaq mashtruese mediatike sa Shqipëria. Kjo propagandë është shndërruar në armën më çnjerëzore kundër qytetarëve shqiptarë, kundër lirive tyre, dinjitetit tyre, shpresës tyre, ekonomisë tyre, të ardhmes së tyre.
Kjo propagandë e cila ushqehet ditë e natë me paratë e taksave tuaja, dhe që shpallet private, po në fakt është gjer në palcë shtetërore kundër jush punon nga mëngjesi në darkë vetëm e vetëm për të përpunuar mendjet tuaja, mendjet e qytetarëve, për t’i manipuluar ato, për t’i mashtruar ato.
Kjo propagandë arrin në veprime jashtë imagjinate të paraqesë krimin sukses, të paraqesë shndërrimin e votës në krim dhe krimin në votë si fitore, të paraqesë grabitjen e votës si aftësi dhe zotësi të Edi Ramës, të paraqesë mashtrimet e tij dhe qeverisë së tij ndaj qytetarëve si të vërteta për shqiptarët.
Në këtë kontekst, në këtë kuadër, roli i secilit prej jush, roli i çdo demokrati dhe demokrateje është jetik dhe vendimtar për të ndriçuar mendjet dhe zemrat e shqiptarëve për të mbrojtur qytetarët nga një agresion mediatik, të cilin e kanë njohur vetëm në diktaturë.
Miqtë e mi, sapo Edi Rama përjashtoi 6100 zgjedhës nga e drejta e votimit, sepse humbiste Himarën. Sapo Edi Rama shtoi në lista 350 zgjedhës nga Dropulli, Tepelena dhe zona tjera.
Sapo Edi Rama manipuloi të gjithë procesin, mediat në verbëri, mediat në krim të vërtetë mediatik rendën të shpallin fitues Edi Ramën, të shpallin
fitues Vangjel Tavon. Të mashtrojnë, t’u paraqesin shqiptarëve manipulimin, t’u paraqesin shqiptarëve grabitjen, t’u paraqesin shqiptarëve mohimin në mijëra e mijëra vetë të drejtës kushtetuese të votimit, si sukses, si fitore të Edi Ramës.
