“Pas 3 orësh me Macronin, doli i qeshur, por me xhepa bosh” – Analiza e Ben Blushit: Çfarë fshihet pas dashurisë së Aleksandër Vuçiçit për armët e shtrenjta që nuk i përdor dot

Data

DASHURIA E ALEKSANDËR VUÇIÇ PËR ARMËT QË NUK I PËRDOR DOT

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, gjithmonë e më shumë i ngjan një gjuetari që blen armë të shtrenjta duke e ditur që nuk do t’i përdorë dot. Njëlloj si një gjuetar amator, ai i ekspozon armët në murin e shtëpisë dhe ua tregon miqve gjithë ngazëllim. Në këtë mënyrë, ai beson se fjala në fshat është hapur dhe kaq mjafton që komshinjtë të tremben.

Ndoshta edhe për kaq pak çmimi ja ka vlejtur. Të gjithë flasin për armët e reja dhe gjuetari kënaqet se shtëpia e tij është e mbrojtur, aty askush nuk do afrohet dhe të tjerët do jetojnë me frikën se me këto armë ai është bërë njeriu më i fortë në fshat.

Duke menduar si gjuetar, Aleksandër Vuçiç bleu këto ditë, 12 avionë luftarakë francezë Rafale për 3 miliardë dollarë, një shifër sa dyfishi i buxhetit të tij vjetor të ushtrisë.

Nëse shumica e buxhetit prej 1.5 miliardë dollarë në vit shkon për paga, ushqime, armatime të lehta si dhe për të mbajtur të vajisur makinën e tij të luftës, kuptohet se sa të vështirë do ta ketë Serbia ta paguajë për disa vjet, faturën e lartë të avionëve francezë të cilët do t’i dorëzohen pas pesë vitesh, pra vetëm në vitin 2029.

Kjo do të thotë se Serbia do ta paguajë për pesë, deri në dhjetë vjet, faturën e avionëve luftarakë.

Nëse francezët janë treguar të mëshirshëm dhe pranojnë të paguhen për dhjetë vjet, atëherë Serbia duhet të harxhojë çdo vit 300 milion dollarë ose një të pestën e buxhetit vjetor, por nëse e paguan për pesë vite, deri në 2029 kur i dorëzohen avionët, atëherë i duhen 600 milionë dollarë cdo vit, që do të thotë afro 40 për qind të buxhetit vjetor të luftës ta çojë në Francë.

Në të dyja rastet stërmundimi financiar i Serbisë është shumë i madh. Siç thonë ekonomistët, buxheti i saj është gati të griset. Ndoshta ushtarëve serbë do t’u kufizohen ushqimet dhe rrobat në dimër, makinave do t’u shkurtohen lëvizjet dhe armatimet e lehta do numërohen me kujdes.

Atëherë për çfarë e bëri Serbia këtë sakrificë financiare?

Cilësia e avionëve francezë, çmimi, si dhe dhe data e dorëzimit shpjegojnë lëvizjen e Aleksandër Vuçiç, e cila është diplomatike më shumë se ushtarake.

Si lëvizje diplomatike ndoshta është e zgjuar, si manovër ushtarake nuk ka shumë vlerë.

Aleksandër Vuçiç zgjodhi t’i blejë avionët luftarakë në Francë dhe jo diku tjetër sepse për këtë shkak, Franca pranoi të bllokojë anëtarsimin e Kosovës në Këshilin e Evropës. Megjithëse asambleja e këtij Këshilli, përfshi edhe deputetët francezë, votoi me shumicë absolute votash pro Kosovës, Franca e bllokoi për një datë të panjohur antarësimin duke bindur edhe Gjermaninë dhe Italinë.

Një ditë pas ketij votimi, si një gjuetar që kishte humbur rrugën, Aleksandër Vuçiç shkoi në Paris, u mbyll tre orë në zyrë me Emanuel Macron dhe kur doli, e kishte fytyrën të qeshur por xhepat bosh. Sapo kishte dalë nga dyqani më i shtrenjtë i botës. Siç vepron me rrobat dhe parfumet Franca vepron dhe me armët. Ajo shet vetëm mallra lluksi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related