Kur bëhet fjalë për termin “overtourism” (mbiturizmi”), shumica e njerëzve para së gjithash mendojnë për Majorkën, Venecian ose Barcelonën. Në Spanjë, qytetarët në qendrat kryesore turistike kanë dalë madje së fundi edhe në rrugë dhe kanë protestuar kundër numrit të madh të turistëve – ndonjëherë duke përdorur madje edhe mjete të papranueshme.
Ata kanë kundërshtuar numrin e madh të turistëve, me shpjegimet se po ua rrezikojnë jetën dhe mirëqenien atje, sepse nuk janë në gjendje të paguajnë kostot e larta të apartamenteve apo ushqimeve.
Në të njëjtën kohë, Barcelona nuk është as ndër 18 qytetet e para në listën europiane të portalit “Holiday” për nga numri i vizitorëve për frymë njeriu. I pari në këtë listë është Dubrovniku me 27 vizitorë për frymë njeriu që jeton atje. Ndërsa në vend të dytë është Rodosi grek me 26, e në vendin e tretë vjen Venecia me 21 turistë për frymë, ndonëse Venecia konsiderohet si një prej vendeve më të vizituara në botë. Me shtatë vizitorë për frymë, Parisi është vetëm në vendin e 12-të në këtë listë. Barcelona, qyteti ku protestuesit ndonjëherë ndjekin turistët me pistoleta uji, është në vendin e 20-të, pra shumë larg vendeve më të vizituara.
Berlini, qytetarët e të cilit janë ankuar prej vitesh se “nuk po mund të marrin frymë” nga turistët që vijnë në festa të ndryshme, renditet në vedin e 33-të me vetëm dy vizitorë për frymë njeriu në këtë qytet me rreth 3,6 milionë banorë. Por nëse merret parasysh vetëm numri i bujtjeve në një vend kundrejt numrit të popullsisë, atëherë në vendet e para renditen qendrat turistike në detin Egje, mbi të gjitha ishulli i Santorini në Greqi.
