Digjitalizimi i dokumenteve është bërë një përparësi në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave. DPA shprehet se në vetëm 5 vite janë digjitalizuar 20-fish më shumë dokumente, të aksesueshme kudo dhe kurdoherë. “Bilanci 5-vjeçar 2019-2024 dëshmon e zeza mbi të bardhë: Digjitalizimin e rreth 19 milionë dokumenteve! 20-fishim të arkivimit digjital, krahasuar me periudhën 2003-2018! DPA-ja është arkivi më digjital në rajon!”, thuhet nga DPA. Prej vitit 2019, procesi i digjitalizimit përbën një nga përparësitë e DPA-së në angazhimin e saj për të siguruar ruajtjen afatgjatë të pasurisë dokumentare. Në hovin e pandalshëm të arkivimit digjital, kanë shërbyer edhe marrëveshjet e frytshme me bashkëpunëtorë të ndryshëm, sikurse janë: komunitet fetare, Kryqi i Kuq, “TIKA” dhe “Family Research”.
Po ashtu sipas DPA-së, nisma mbarëkombëtare e çeljes së Këndeve Arkivore, e shtrirë në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka rritur ndjeshëm kurbën e studiuesve të regjistruar në hapësirat studimore, të cilët llogaritet të jenë plot 5,480. “DPA-ja ka mundësuar që nga Haniaja në Kretë e deri në Mitrovicë, nga Palermo e Cosenza e arbëreshëve deri në Manastirin e Alfabetit, nga Saranda deri në Istog, lënda arkivore të shërbehet njësoj si në Sallën e Studimit në Tiranë. Arkivat strehojnë të shkuarën, duke shërbyer me pulsin e kohës”, thuhet nga DPA. Në vitin 1951, Arkivi Qendror i Shtetit kaloi në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, varësi të cilën e ruajti deri në vitin 1962, kur u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit (sot Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave) , në varësi të Këshillit të Ministrave.
