Sulmet nga dronët rus drejt Ukrainës, DW analizë: Ja kë kanë në shenjestren e tyre

Data

Volodymyr Kindrat dhe e shoqja e tij, Ljubova, nuk do ta harrojnë kurrë atë gumëzhimën kërcënuese të dronëve më 7 shkurt të këtij viti. Sapo kishin nisur të mësoheshin me të, kur dy dronë të mbushur me lëndë shpërthyese papritmas goditën shtëpinë e tyre.

“Pashë se si dronët goditën garazhin,” tregon Volodymyr Kindrat. Porta e garazhit dhe makina e familjes u dëmtuan rëndë nga sulmi. “Ishte sikur ushtarët po luanin ndonjë lojë kompjuterike,” përshkruan Ljubova sulmin tronditës. “Por në jetën reale,” ndërhyn Volodymyri. “Dhe mbi njerëz të gjallë,” shton e shoqja.

Sulmet me dronë ndaj civilëve

Pas kësaj tronditjeje, familja Kindrat, së bashku me vajzën e tyre të rritur, u larguan nga Berislavi, vendlindja e tyre në jug të Ukrainës.

Prej shtatorit 2023 e deri në korrik 2024, Berislavi është sulmuar nga mbi 120 sulme me dronë rusë. Në këto sulme janë vrarë 16 persona dhe janë plagosur mbi 130 të tjerë – të gjithë civilë, sipas raportimeve.

Ekipi hulumtues i DW-së ka analizuar prej disa muajsh një sërë raportimesh dhe të dhënash nga burime të hapura mbi sulmet me dronë. Atij i erdhën në ndihmë edhe dy organizata joqeveritare: projekti “Eyes on Russia” i “Centre for Information Resilience” dhe arkivi ukrainas “Mnemonic”.

Në qytet, ekipi nuk mundi të kryente hulumtime. Për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm, policia ukrainase e ka bllokuar hyrjen në qytet. Megjithatë, nga analiza e të dhënave dhe intervistat me dëshmitarë dhe ekspertë përforcohet dyshimi se ushtarët rusë i kanë përdorur sistematikisht dronët kundër civilëve.

Berislavi ndodhet në bregun verior të lumit Dnjepër, afër qytetit Kherson. Menjëherë pas pushtimit të madh të Ukrainës në shkurt 2022, trupat ruse pushtuan qytetin Kherson dhe rrethinat. Në vjeshtën e vitit 2022, ushtria ukrainase e rimori kontrollin e kësaj zone. Trupat ruse u tërhoqën në anën tjetër të lumit.

Që atëherë, forcat ruse të vendosura në anën tjetër të lumit bombardojnë intensivisht Berislavin me artileri, bomba të telekomanduara dhe dronë. Pjesa më e madhe e qytetit është shkatërruar dhe nga 11 000 banorët e dikurshëm, tani kanë mbetur thuajse vetëm të moshuarit.

Dronët më të përdorur janë të tipit FPV (First Person View) të ngarkuar me lëndë shpërthyese. Ky lloj droni fillimisht është përdorur vetëm nga pilotë amatorë dhe është i pajisur me një kamerë.

Në vitin 2023 është rritur ndjeshëm numri i dronëve të tillë të përdorur në front. “Mendohet të ketë mbi dhjetëra mijëra dronë të tipit FPV që veprojnë në qiellin e Ukrainës,” shpjegon Samuel Bendett, anëtar i programit të studimeve mbi Rusinë në Center for Naval Analyses, një institut kërkimor amerikan.

Piloti i dronit ose mund ta hedhë eksplozivin, ose ta drejtojë dronin me gjithë ngarkesën e tij drejt një caku, ku ai shpërthen.

Ndjekur nga dronët

Edhe Jevheni ka qenë në shënjestër të një droni rus. Ai nuk dëshiron ta publikojë mbiemrin e tij. Ndodhi në janar, kur punonjësi i organizatës humanitare World Central Kitchen solli ushqime në Berislav. Gjatë kthimit nga qyteti, makina e tij u ndoq nga një dron. “Nuk e di sa gjatë më ndoqi droni,” tregon ai për DW, shumë i lehtësuar që arriti të shpëtojë. “Kisha shumë frikë.”

Një aksion tjetër i ngjashëm përfundoi me viktima. Edhe ata “u ndoqën nga dronët,” siç raportoi më vonë njëri nga të mbijetuarit. Automjetet e tyre, të cilat ishin të shënuara si konvojë ndihmash, u sulmuan. Disa dëshmitarë i thanë DW se bëheshin goditje të dyfishta, të ashtuquajtura “double taps”, ku pas goditjeve të para, viheshin në shënjestër personat që përpiqeshin të shpëtonin viktimat.g

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related