Seanca e 12 shtatorit, e cila përkon dhe me seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, duket që do të jetë vendimtare për mandatin e deputetes së ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçkës. Për të tretën herë në 2 vite, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të ngrenë sërish kartonët për çështjen “Xhaçka”. Mazhoranca duket se ka bërë një hap pas nga qëndrimi i saj i prerë për mos ta çuar në Gjykatën Kushtetuese shqyrtimin e mandatit të koleges së tyre dhe me Partinë Demorkatike që kërkon heqjen e këtij mandati ranë dakord që pr/vendimi “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka” të kalojë sërish për votim në seancën e 12 shtatorit.
Diskutimet u bënë dje në Këshillin e Legjislacionit, në një seancë të jashtëzakonshme jashtë sesionit, të thirrur nga kryetarja e Parlamentit ku përmes një raporti të hartuar nga Dhurata Çupi e opozitës, si kryetare në detyrë, Kuvendit i kërkohet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Ne kemi detyrimin të veprojmë me përparësi, të respektojmë dhe kërkojmë të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Përmes një vendimmarrje të detyrueshme të Kuvendit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese”, deklaroi kryetarja e Këshillit të Legjislacionit, Dhurata Çupi.
Debati
Por edhe pse ra dakord, mazhoranca fillimisht refuzoi që kryetares së Kuvendit t’i dërgohej një tjetër mendim i arsyetuar nga anëtarët e këshillit veç vendimit të kushtetueses, çka përfshiu palët në debat. Kryetarja e Këshillit të Legjislacionit, – si organ këshillimor – Dhurata Çupi kishte hartuar një draftraport me 4 pika ku i sugjeron kryetares Elisa Spiropali hapat që duhet të ndërmarrë për zbatimin e vendimit. Pika 3 ishte dhe detyrimi i deputetëve për të votuar pro projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
