Në një periudhë ku tensionet në politikën shqiptare arrijnë kulmin, intervista e sotme shqyrton disa nga çështjet më të ndjeshme që prekin stabilitetin e vendit. Prej kohësh është ngritur shqetësimi për inkriminimin e strukturave të Policisë së Shtetit dhe ndikimin e tij në integrimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian.
Një tjetër çështje e nxehtë është përçarja e opozitës dhe marrëdhëniet e komplikuara mes partive opozitare, si dhe qëndrimi i Nismës Thurje ndaj aleancave politike. Në këtë intervistë, do të diskutojmë gjithashtu sulmet dhe akuzat e forta të ish-presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe ish-kryeministrit Sali Berishës ndaj institucioneve të drejtësisë, veçanërisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK-u), dhe ndikimin e këtyre zhvillimeve në klimën politike të vendit.
Për të hedhur dritë mbi këto çështje dhe për të ofruar një analizë të thelluar, gazeta “SOT” ka biseduar me drejtuesin e Nismës Thurje, Endri Shabani. Intervista është realizuar nga kryeredaktori i gazetës Rigels Seliman dhe është një mundësi për të kuptuar më mirë përplasjet dhe sfidat që përballen shqiptarët në këtë periudhë kritike për demokracinë e vendit.
Kështu zoti Shabani gjatë intervistës paralajmëron ditë të zeza për politikanët e korruptuar dhe tregon pazarin e fshehtë të Sali Berishës me PS për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Ndërkohë ai thotë se Ilir Metës do t’i sekuestrohet pasuria, ndërsa thekson se reforma e Policisë së Shtetit dhe ndëshkimi i politikanëve të korruptuar, sipas tij, janë çështje jetike për integrimin dhe drejtësinë.
-Zoti Shabani, prej kohësh flitet se ne radhët e Policisë së Shtetit, madje dhe kupola e saj ka persona të inkriminuar që bashkëpunojnë me krimin. A është normale që një vend që synon të integrohet në BE të ketë këtë polici? A duhet pastruar dhe reformuar policia nga njerëzit e inkriminuar?
Unë jam i bindur që në polici pjesa më e madhe janë njerëz të ndershëm, të rinj me aspirata, apo prindër me përgjegjësi, të cilët realisht duan ta luftojnë krimin, qoftë kriminelët ordinerë, ashtu edhe mafien. Problemi është me inkriminimin e kupolës drejtuese të policisë. Jo më larg se këtë javë dolën përgjime ku tregohej se si grupet kriminale zgjidhnin drejtuesit e policisë.
Në momentin që drejtuesi i policisë është emëruar nga kriminelët, e gjithë trupa policore dekurajohet për të bërë punën e vet. Në këtë pikë jemi të gjithë të pambrojtur nga kriminelët që kanë mbrojtjen e shtetit. Prandaj kjo gjë duhet të ndryshojë jo vetëm për shkak të anëtarësimit në BE, por për hir të funksionimit të Shqipërisë si një vend normal ku jeta dhe prona janë të garantuara.
-Opozita vijon te jetë e përçarë. Si e shikoni ju ketë situatë dhe a duhet që opozita dhe të gjitha partitë të jenë bashkë si e vetmja mënyrë për të rrëzuar qeverinë?
Opozita duhet të jetë bashkë, ashtu si trinomi që e ka zaptuar këtë vend është bashkë. Pra opozita duhet të jetë bashkë, por kundër korrupsionit. Sot Rama, Berisha dhe Meta janë bashkë për të mbrojtur vjedhjen që i është bërë Shqipërisë. Në këtë pikë edhe ne duhet të jemi bashkë përballë këtij trinomi.
-Ju si Nisma Thurje do të bashkëpunoni me PD, Bashën dhe PL?
E çfarë kemi ne të përbashkët me Berishën dhe Metën?! Pastaj, ne jemi kundër Edi Ramës, si mundet të bashkëpunojmë me ata që janë tashmë edhe zyrtarisht në të njëjtin grup parlamentar me Ramën?! Ju e keni parë se si deputetët e PD-së dhe LSI-së kanë bashkuar votat me PS-në për të falur hajdutët e votave dhe zyrtarët e korruptuar. Si mund të bashkëpunojmë ne me ata që bashkuan votat me Ramën vetëm disa javë më parë për një sistem zgjedhor që ja jep fitoren në tavolinë Edi Ramës?!
-Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duket tejet i alarmuar, teksa zbuloi se bankat e nivelit të dytë po tentojnë t’i bllokojnë llogaritë e partisë. Madje ai i sulmoi dhe kërcënoi bankat dhe ndërkohë hodhi akuza të forta ndaj SPAK. Si ju duket kjo qasje e Metës dhe pse ai është alarmuar?
Këta kanë ecur me parimin që nuk do i prekë njeri, prandaj edhe kanë vjedhur dhe kanë bërë çfarë kanë dashur me këtë vend. Por sot iu ka ardhur dita e gjykimit dhe do japin llogari jo vetëm me burg, por edhe me konfiskimin e pasurisë që na kanë vjedhur. Kështu që Ilir Meta le të vazhdojë të hidhet nga shkëmbi, se shumë shpejtë do kërcejë pupthi nga SPAK-u.
-Po sulmet e Sali Berishës ndaj SPAK si i shihni?
Sulmet e Sali Berishës ndaj SPAK-ut janë njësoj si sulmet e çdo të pandehuri tjetër. Disa kanë platforma mediatike dhe i shajnë prokurorët në televizor, të tjerët i shajnë tek kafja poshtë shtëpisë, por në thelb të gjithë kriminelët dhe hajdutët nuk kanë respekt as për ligjin dhe as për organet e drejtësisë. Kjo është plotësisht e kuptueshme.
