Lufta heroike e Çun Mulës për mbrojtjen e atdheut, dhe nostalgjikët e “bajraktarizmit”!

Data

Pas disa muajsh në restaurim, në datën 16 gusht 2024, në Hot të Malësisë së Madhe u përurua Kulla 300 vjeçare e Çun Mulës. Organizatorët dhe donatorët e restaurimit dhe përurimit të kullës në fjalë, ishin pushteti vendor i Malësisë së Madhe dhe shoqatat atdhetare të diasporës në Amerikë dhe vende të tjera të botës. Kulla e moçme u riparua në nderim të luftëtarit me emër Çun Mula, por do të shërbejë edhe si muzeum i identitetit të kësaj krahine të përmendur shqiptare, e cila shtrihet në dy shtete, Shqipëri dhe Mali i Zi.
Po kush është Çun Mula?

Nga të dhënat gojore, por edhe dokumente autentikë, Çun Mula lindi në vitin 1818 dhe u nda nga jeta në vitin 1896. Vinte nga një familje e përmendur, Lucgjonaj, e cila kishte zbritur me kohë në Junçajt e Hotit. Qysh në moshë të re, Çunit iu desh të aktivizohej në luftën e malësorëve për mbrojtjen e kufijve të veriut nga zaptuesit serbo-malazes dhe turqit, sidomos pas Kongresit të Berlinit. I dalluar në këto luftime, ai shumë shpejt fitoi të drejtën, në bazë të Kanunit të Lek Dukagjinit, që të mbante Flamurin dhe të udhëhiqte bashkëmalësorët e tij në luftrat për mbrojtjen e trojeve të tyre. Ci-via e tij në mbrojtje të trojeve shqiptare të zonës së veriut ishte majaft e spikatur. Ishte njëri nga 15 delegatët shqiptarë nga Shqipëria e veriut, të dërguar gjatë bisedimeve të Kongresit të Berlinit (13 qershor – 13 korrik 1878). Ai u bashkua me atdhetarët shqiptarë të Lidhjes së Prizrenit. Nisur nga veprimtaria e tij atdhetare, Lidhja e Prizrenit e cakton Çun Mulën komandant të forcave vullnetare për gjithë Malësinë e Madhe, ku në betejën e Zhamicës theu forcat e rregullta ushtarake te Krajl Nikollës së Malit të zi, i cili kërkonte të merrte toka shqiptare. Po ashtu ai zhvilloi një betejë të ashpër me forcat turke në Bajzë-Kastrat, kur otomanët dolën hapur në favor të Malit të zi, me qëllim dhënien atyre të Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë.

Në këtë betejë fitimtare, ai bashkëpunoi me Kapidan Hodo Beg Sokolin, i cili ishte komandant i Shkodrës. Por dokumenti më autentik për veprimtarinë atdhetare të Çun Mulës, është “Lahuta e Malsisë” e Padër Gjergj Fishtës. Vargjet poetike të stilit homerik të Fishtës, tregojnë më së miri se kush kishte qenë Çun Mula i Hotit. S’ka dyshim se Gjergj Fishta i bëri Çun Mulës portretin më të mirë në kulturën tonë kombëtare. Çun Mula ishte atdhetar i madh, trim dhe strateg, bujar dhe orator. Të gjitha këto cilësi të larta njerëzore u skalitën në kryeveprën e poetit tonë kombëtar. Nisur vetëm nga kjo ekspoze tepër e shkurtër, veprimi për restaurimin e Kullës së Çun Mulës dhe kthimin e saj në Muze për krahinën, është një veprim që duhet përshëndetur. Madje ka qenë e nevojshme të bëhej shumë kohë më përpara. Por një detaj tepër i rëndësishëm na tërheq vëmendjen, në ceremoninë e përurimit të kullës së moçme.

Ata që referuan momentet historike, jo vetëm shtuan emërtime tashmë jashtë kohës, e të panevojshme, por u munduan t’i jepnin edhe ngjyra politike, me fakte të pavërteta e dashakeqe, që nuk e nderojnë ceremoninë në fjalë dhe pjesëmarrësit e shumtë të saj. Në të gjitha fjalimet dhe referimet në ceremoni, nuk harrohej të thuhej “Kulla e Bajraktarit të Hotit e të Malësisë së Madhe, Çun Mula!” Historikisht, shqiptarët në çdo kohë kanë patur luftëtarë, që janë vënë në krye të masave popullore në mbrojtje të lirisë dhe trojeve amtare. Këta luftëtarë, populli i ka quajtur “Prijës”, fjalë plotësisht shqipe. Kështu është quajtur edhe Gjergj Kastrioti dhe gjeneralët e tij. Deri në pushtimin e plotë nga Turqia, ata që drejtonin luftën në shkallë kombëtare, populli i quante “Prijës”, ndërsa mbajtësit dhe mbrojtësit e flamurit në betejë, “Flamurtar”. Madje, ishte zakon, që në fund të luftës e të fitores, kush mbante në dorë flamurin, emërtohej “Flamurtar” dhe udhëhiqte shokët e tjerë në betejat e ardhshme. Rreth shekullit të 17-të, pushtuesi turk, në pamundësi për të avancuar drejt Europës, ngriti dhe forcoi administratën shtetërore në tokat e pushtuara.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related