Krimi në Shqipëri është sheshit. Edhe pse qeveria dhe agjencitë ligjzbatuese mundohen të tregojnë se Shqipëria është një vend ku kriminalitet është i ulët, e kundërta është e vërtetë. Vetëm brenda 24 orëve të fundit kemi një bilanc prej 6 të vrarësh dhe 1 të plagosur. Konkretisht në Velipojë janë ekzekutuar me armë zjarri dy të rinj, në Memaliaj dyshohet se është vrarë me thikë kryeplaku i fshatit Zhapokike, Faik Ajdini; në Tiranë një shtetas amerikan vrau bashkëshorten e tij dhe më pas veten, në Mirditë një 68-vjeçar është qëlluar me armë zjarri nga dritarja e dhomës ku flinte në banesën ku kalonte muajt e verës në fshatin Lajthizë, ndërsa në Tiranë një efektiv policie plagosi me armë zjarri një 45-vjeçar. Këto krime të dhunshme dhe ndodhi tragjike kanë ngjallur shqetësim të madh tek qytetarët shqiptarë, ndërkohë që i vetmi që nuk e kanë vrarë mendjen, duke mbajtur përgjegjësi morale dhe profesionale është drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
Ky i fundit në vend që t’i shpallë luftë krimit, i ka shpallur luftë mediave, sikundër ndodhi pak ditë më parë, pas një ngjarje të rëndë që tronditi qytetin e Pogradecit. U desh dhuna e një kapadaiu pogradecar me mbrojte nga pushteti ku la të vdekur babain e dy fëmijëve që edhe numri një i Policisë së Shtetit të vetëdegradohet deri në atë pikë sa është pak të quhet “zëdhënës kryeministror”. Shenjat për një çartje të Rrumbullakut në sulmin ndaj medias ishin dhënë edhe më parë, por kjo e fundit i vuri kapakun kazanit të zi që zien çorbën qeveritare dhe shpërndahet më pas për sejmenët e pushtetit, fatkeqësisht edhe në majën e Policisë së Shtetit.
E gjitha kjo tregon se Muhamet Rrumbullaku është shndërruar në “monument kulture” që mbrohet nga kryeministri Edi Rama, pasi në çdo vend normal dhe përballë këtij kriminalitet që vetëm lulëzon siç po ndodh në Shqipëri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është i pari që dorëhiqet, largohet apo shkarkohet. Megjithatë nëse askush nuk mban përgjegjësi për ngjarje të tilla, kjo do të thotë se organizata e policisë drejtohet nga të paaftë, sikundër fatkeqësisht është rasti i zotit Rrumbullaku, i cili qartazi po tregon se ka mbështetjen e kryeministrit Rama që në rastin e Pogradecit e mori publikisht në mbrojte kryepolicin e vendit.
Lajthitja e Rrumbullakut
Vrasja me grushte e 42-vjeçarit Egli Proga nga Denis Meçe në Pogradec u tentua të fshihet nga policia, por denoncimi i familjarëve dhe publikimet e tjera në media bënë që ky rast tragjik që u shit si “aksident” të zbulonte lidhjet “politiko lokale” të agresorit që shtriheshin më pas edhe në polici dhe drejtësi. “Aludimi se është tentuar të fshihet ngjarja nga shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec është i pabazuar në asnjë dyshim të arsyeshëm, provë apo fakt konkret dhe si i i tillë është skandaloz. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të fshihet apo minimizohet ngjarja e rëndë,” tha Rrumbullaku pak ditë më parë. Deri në këtë pikë ngjau se po mbronte punën e vartësve, por shkoi shumë më tej.
“Drejtoria e marrëdhënieve me median në Policinë e Shtetit dhe departamentet respektive që merren me ndjekjen penale po hulumtojnë gjithë rrjetet sociale dhe po përgatisin kallëzimin penal në lidhje me çdo individ dhe çdo rrjet social në raport me këtë dizinformim të qëllimtë”, theksoi Rrumbullaku. Kjo vret edhe më shumë se ata grushta politike që sot po vrasin e terrorizojnë qytetarët pa mbështetje. Rrumbullaku jo vetëm fshehu ngjarjen dhe rolin e policisë lokale në Pogradec, por me deklaratat e tij tani e më tej pasi të na vrasin do duhet të mbyllim gojën, ndryshe Ai i madhi, me pisqollën e lagur të “ish-grupit çiftelia”, vret fjalën e lirë. Çka vijoi më pas iu kthye në boomerang pushtetit të pisët që me forcën e propagandës e herë me ankimet si shtrigë e ligë se po u hidhet baltë padrejtësisht bien vetë në gropën e hapur.
Pas Rrumbullakut, si një “orë zvicerane” del edhe kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj, duke mbrojtur ambulancën rrangallë që në rastin e Pogradecit shërbeu si “makinë funerali” që transportoi pa shenja jete trupin e 42-vjeçarit të vrarë nga grushtet e nipit të një pushteti të fuqishëm lokal. Rrumbullaku doli, Brataj doli e si mund të mungonte i “prekuri nga padrejtësia”, kryeministri Edi Rama. Aty buzë detit mbajti një fjalim çartës aq të zakonshëm sa u vetediskreditua shumë pasi fjala e Rrumbullakut ishte rrumbullak e njësojtë me të tijën. Të dhunshmit me lidhje pushteti do vrasin përsëri, herë me grushte e herë me armë, gjoba do venë përsëri, herë me shantazh psikologjik e herë me rrahje, por ajo që vret më shumë se një vrasje është lugunia e të gjithë pushteteve për t’i mbyllur gojën çdo denoncuesi, çdo media ende të pakapur nga qeverisja e çdo gazetari e qytetari që edhe në rrjetin e tij social duhet të matet mirë para se të shprehet.
Çfarë ka ndodhur?
Një situatë e përsëritur dhe një fat i ngjashëm me kryepolicët. Sot, Rrumbullaku e ka të vështirë të kuptojë të vërtetën nga maja ku mendon se ndodhet. Mjafton të kthejë pak kohën në një vështrim nga paraardhësit e tij… Aty në atë karrige ku Rrumbullaku ulet rëndë ka ndenjur edhe Ardi Veliu. Është pikërisht Veliu që deklaroi se në ngjarjen e rëndë në Elbasan ku në një përplasje me armë u vra një person dhe u plagonës disa të tjerë nuk kishte materiale zgjedhore. Faktet treguan pak kohë më vonë se jo vetëm kishte materiale zgjedhore, por edhe lista me emra konkretë të qytetarëve që do të votonin për PS-në në Elbasan e më pas të shpërbleheshin nga kriminelët e Rilindjes me nofka të ndryshme. Në sa e sa raste Veliu u bë “velinë kryeministrore” duke u vëtëdenigruar në fund në një letër të ndyrë dorëheqjeje që tregonte nivelin aq të ulët të intelektit të njeriut që drejtoi gjatë Policinë e Shtetit me moton: “Mbrojtje për pushtetin dhe gaz lotsjellës për opozitën”.
Në fund Rama e flaku aq me përbuzje sa sot nuk di kush ku ndodhet sepse pranoi që uniformën e policisë së shtetit ta kthente si “kostum sportiv” të fushatave të Rilindjes. Fatkeqësisht për qytetarët edhe Rrumbullaku po shkel në të njëjtin shteg. Rrumbullaku mund të vijojë gjatë, ndoshta aq gjatë në detyrë sa të jetë Rama e të tjerë. Mund edhe të mbajë uniformën veshur, mund të presë e përcjellë “homologë” të vendeve të tjera, por moralisht para çdo qytetari në vend është një “ish-kryepolic”, që vendosi me dëshirë të bëhet pjesë e pisët e propagandës qeveritare. Vuajtja dhimbja dhe mallkimi i heshtur i dy fëmijëve jetim të 42-vjeçarit të masakruar nga forca e kapadaiut të pushtetit në Pogradec, zhvlerësojnë kapelen firmato të çdo kryepolici që noton në ujërat e ndotura të treshes krim-pushtet-oligarki.
