Biometric Albania është një kompani shqiptare e cila në datën 25 korrik të këtij viti u përjashtua nga pjesëmarrja në tenderat publikë për 1 vit për shkak se mashtroi shtetin. Sipas vendimit të Agjencisë së Prokurimit Publik, kompania e cila zotërohet nga biznesmeni Artur Kadareja, nuk përmbushi detyrimet kontraktuale të një tenderi të fituar nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza për furnizimin dhe vendosjen e aparaturave mjekësore në spitalin e ri A2.

Por menjëherë pas këtij vendimi, shoqëria iu drejtua me urgjencë Gjykatës Administrative të Shkallës së parë për sigurim padie duke kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit të APP-së. Në datën 7 gusht, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë e pezulloi vendimin e APP-së duke rrëzuar përkohësisht përjashtimin e kompanisë nga tenderat.
Dhe Biometric Albania kishte një arsye shumë të fortë se pse nxitonte për të pezulluar vendimin e APP-së për përjashtimin e saj nga tenderat. Sepse kishte gati një kontratë 1.6 milionë euro.
Këtë të hënë Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë shpalli fituesin e tenderit për fuqizimin e e kapaciteteve laboratorike të ISUV në të tre fushat ku ushtron aktivitetin e vet analitik, siguri ushqimore, shëndet kafshësh dhe bimësh. Tenderi ishte paracaktuar me një vlerë limit prej 162 milionë lekësh ose 1.62 milionë euro.
