Kuvendi i kërkoi së fundmi Autoritetit të Dosjeve që të vijojë me verifikimin e zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe ata që e kanë marrë në të shkuarën një certifikatë pastërtie nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Në rezolutën për këtë institucion, Kuvendi kërkon gjithashtu bashkëpunimin me KQZ për gjetjen e mekanizmave ligjore për amendimin e Kodit Zgjedhor apo ligjit për partitë politike për të identifikuar dhe larguar ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nga zgjedhjet. Por në një kohë që Kuvendi i lë detyra Autoritetit të Dosjeve, janë po vetë deputetët që kanë arkivuar nismat për dekomunistizimin e politikës. Nismat ligjore të cilat një vit më parë pushtuan debatin politik në vend u harruan. Lidhur me këtë situatë, kontaktuam me Viron Bezhanin, të birin e Nafiz Bezhanit, kryetarit të ish-komisionit të famshëm për verifikimin e zyrtarëve të lartë për lidhjet me ish-Sigurimin e Shtetit. Në një intervistë për gazetën “SOT”, ai tha se sot kërcënimet për hapjen e dosjeve po bëhen për presione. Sipas tij, partitë kërkojnë të bëjnë gjoja një ligj për të kapur ndonjë që ia kanë vënë syrin pasi me ligjin që ka qenë ka shpëtuar, e tani duan të ndërrojnë ligj që ta bëjnë gjueti shtrigash. Po asthu Z.Bezhani thotë se nëse hapen dosjet nisin pushkatimet.
-Në detyrat që Kuvendi i ka lënë Autoritetit të Dosjeve për vitin 2024 është kalimi në filtrin e tij të politikanëve që kanë arritur ti shpëtonin rrjetës së Komisioneve Mezini dhe Bezhani, të cilët edhe pse u ngritën pas rënies së regjimit komunist për ti pamundësuar ish- spiunëve futjen në politikë, dështuan. Mendoni se kjo gjë do të arrihet?
E para nuk ka ça të arrihet, kush i ka shpëtuar, sepse nuk ka lënë njeri pa i shpëtuar. Në qoftë se i ka shpëtuar, babi im zbatoi ligjin. Çfarë ligji ka qenë në fuqi, janë të gjithë të situr dhe janë të gjithë të kopsitur ku nuk ka ku të shkojë. Nuk ka shpëtuar njëri se babai nuk toleronte as dhe mikun apo njerëzit tanë më të afërt. Ka qenë njeri i drejtë e nuk besoj t’i ketë shpëtuar njëri babës nga ai problem. Problemi është në qoftë se ata ndërrojnë ligjet e fusin një gjë tjetër, kjo pastaj është gjë tjetër. Por problemi më kryesor është që ligji urdhëron që të dënohen të gjithë por më parë ka patur probleme me spiunët. E ndërsa tani janë bërë 1000 spiunë. Babai këtë kërkoi pikërisht ndërrimin e ligjit për verifikim të figurave, edhe të sotshmet. Pasi spiunët e sotëm janë bërë edhe më të këqij. Kështu që në këtë aspekt, këta e bëjnë vetëm për të kapur ndonjë peshk të madh me mendimin që ka qenë sipas ligjit të vjetër. Dhe e bëjnë këtë gjë për gjueti shtrigash. E dyta, nuk është koha sot pasi për çfarë po e bën një gjë të tillë, se do të kapësh një spiun por sot i ke të gjithë spiun. Atë që kërkoi baba me insistim, nuk e pranuan si ligj, as e majta e as e djathta. Të dyja partitë janë të kopsitura dhe nuk e falin ligjin. Dhe tani kërkojnë të bëjnë gjoja një ligj për të kapur ndonjë por nuk e di se kujt ia kanë vënë syrin pasi me ligjin që ka qenë ka shpëtuar e tani duan të ndërrojnë ligj që ta bëjnë gjueti shtrigash.
-Pse dështuan komisionet Mezini dhe Bezhani, pasi sipas Kuvendit ka politikanë që kanë certifikata false pastërtie?
Unë nuk besoj se kanë dështuar por përkundrazi, unë di shumë ambasador e ministra, që nuk janë zgjedhur ministra me këmbënguljen e babait tim dhe ligjin. Nuk ka shpëtuar njeri e politikan aty e për këtë të garantoj. Normalisht, ato dosje u verifikuan dhe jashtë Shqipërisë e jo më brenda vendit.
-Shpesh nga ndërkombëtarët ka patur thirrje që dosjet e ish-sigurimit të hapen, pse politika i mban të bllokuara ende?
Kur unë i thash babait se pse nuk i hap dosjet që ta marrin vesh të gjithë se kush është i miri e se kush është i keqi, më tregoi listën në kompjuter dhe njëri më doli një person i fuqishëm në politikë dhe një tjetër person që kishte futur në burg burrin e motrës që t’i merrte gruan. Pisllëqet nga më të ndryshmet. Të fusësh vëllain në burg për t’i marrë gruan është e rëndë. Dhe nëse del ky informacion, nisin pushkatimet. Janë ca gjëra e informacione që nuk janë të kollajshme në ato dosje. Edhe Gjermania i hapi dosjet pas shumë 30 vitesh. Por nëse hapen ato dosje, do të ketë pasoja të mëdha. Por në ditët e sotme në këtë korrupsion të madh që kemi, nuk pranuan asnjëra nga partitë pasi baba kërkoi pastërti në të dyja krahët dhe kjo gjë nuk u zbatua. Kjo duhej bërë me qëllim se njerëzit që i zgjidhni për t’u bërë ministër, të ishte i pastër në profesion. Dhe nëse ka një dosje të pisët, nuk është e thënë që vetëm spiunët janë të këqij. Pasi sot këto politikanë janë 100 herë më të këqij se spiunët. Nevojitet një ligj i fortë për të gjithë, kush ka bërë shkeljen e ligjit pa bërë ndarje mes partive politike duke mbajtur me hatër. Por nëse ka anësi, më pas nis e kthehet në një gjueti shtrigash. Sido që ata duan ta ndryshojnë ligjin duke thënë se i përket diçka e së kaluarës, ato kërkojë me 1000% politikanë të lartë.
