9 spiunë të ish-Sigurimit në politikë drejt zbulimit, Kuvendi fut në ankth deputetët dhe ish-deputetët që kanë…

Data

Kuvendi i i ka kërkuar Autoritetit të Dosjeve që të vijojë me verifikimin e zyrtarëve të lartë, duke përfshirë edhe ata që e kanë marrë në të shkuarën një certifikatë pastërtie. Në rezolutën për këtë institucion, Kuvendi kërkon gjithashtu bashkëpunimin me KQZ për gjetjen e mekanizmave ligjore për amendimin e Kodit Zgjedhor apo ligjit për partitë politike për të identifikuar dhe larguar ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nga zgjedhjet. Kuvendi vijon t’i kërkojë Autoritetit të Dosjeve verifikimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, përshirë edhe ata që kanë një certifikatë pastërtie. Sipas A2, rezoluta e miratuar në Parlament për këtë institucion i ka lënë për detyrë Autoritetit që të ketë me prioritet futjen në filtër të personave të pastruar nga komisionet Mezini e Bezhani: “Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2024 të intensifikojë bashkëpunimin me institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike për riverifikim të figurës së zyrtarëve të pajisur më parë me certifikatë pastërtie nga komisionet “Bezhani” e “Mezini”.

Nga këto dy komisione të ngritura pas rënies së komunizmit kaloi kupola politike e kohës, ku një pjesë e protagonistëve të atyre viteve vijojnë të jenë në të njëjtin rol edhe sot, dhe nëpërmjet kësaj detyre, duket se Parlamenti kërkon të vetëpastrohet. Kjo dallohet edhe më shumë te detyra tjetër që Kuvendi i ka lënë Autoritetit, ku i kërkon bashkëpunimin me KQZ për identifikimin e ndryshimeve ligjore të nevojshme në Kodin Zgjedhor dhe ligjin për partitë politike për largimin e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit nga politika aktive: “Kuvendi kërkon që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit për vitin 2024 të bashkëpunojë me KQZ-në për ndryshimet e nevojshme të kuadrit ligjor ekzistues lidhur me integritetin e zyrtarëve, Kodit Zgjedhor, apo ligjit për partitë politike në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të angazhohet për verifikimin e të gjithë kandidatëve në zgjedhje”. Rezoluta për Autoritetin tashmë ka hyrë në fuqi dhe nëse do të zbatohet apo jo, do të dallohet në raportimin e radhës të këtij institucioni përpara deputetëve.

Rrezikojnë 9 spiunë

Autoriteti për Informim mbi Dosjet e Sigurimit në raportin vjetor të punës për vitin 2023 që dërgoi në Kuvend zbuloi se gjatë verifikimeve që janë bërë për persona që kanë marrë më parë certifikatat e pastërtisë nga komisionet Mezini e Bezhani, janë 9 politikanë që kanë mashtruar, pasi janë sigurimsa. Bëhet fjalë për deputetë apo ish-deputetë. Mirëpo AIDSSH i fshehu emrat. “Nga 55 rastet në total, gjatë viteve 2017-2022, janë marrë 17 vendime për mosadministrimin e kërkesës për verifikim, sepse disponohej certifikata autentike e pastërtisë nga institucionet përgjegjëse (komisionet Mezini dhe Bezhani), pra Autoriteti, nuk mund të kryente verifikim, kur ishte dhënë certifikata e pastërtisë. Por ndër to, në 9 raste të konstatuara përmes proceseve paralele ose 16.3% e tyre, u gjetën rastësisht, të dhëna që e lidhnin figurën e zyrtarit me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit.

Zbatimi i dispozitës neni 29 pika 4 e ligjit nr. 45/2015, bënte që Autoriteti të shprehej me dy vendimmarrje të ndryshme, për të njëjtin subjekt, ku në një procedurë rezultonte si bashkëpunëtor i ish-sigurimit te shtetit, apo anëtar i ish-Sigurimit, hetues ose gjyqtar, ndërsa në procedurën tjetër, subjekti zotëronte certifikatën e pastërtisë së figurës së tij dhe nuk mund të verifikohej. Përmes shfuqizimit të plotë të pikës 4 në nenin 29 të ligjit, ka rënë barriera ligjore. Zyrtarët nuk janë më të mbrojtur ligjërisht, nga kjo dispozitë. Së pari: Autoriteti ka identifikuar rastet dhe institucionet ku vendimmarrja e Autoritetit lidhet me kandidatë që dispononin dokumentin autentik origjinal (ose kopje) të certifikatës së pastërtisë së figurës e si rrjedhim, të paverifikuar nga Autoriteti, për shkak të pengesës ligjore”, theksohej në raport. Nëse Autoritetit të Dosjeve i kërkohen rezultate këta emra do të jenë të parët që do të zbulohen dhe të 9 politikanët pritet të përjashtohen nga sistemi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related