Sezoni veror këtë vit është shoqëruar me zhvillime dinamike, por edhe polemika.
Në njërën anë, ishte fluksi i lartë i të huajve që shënuan një tjetër rekord në hyrjet e raportuara në publikimet zyrtare, teksa në anën tjetër, kërkesa rriti çmimet në gjithë bregdetin.
Ajo që u nënvizua nga operatorët turistikë ishte mungesa e theksuar e shtetasve të Kosovës, si rezultat i liberalizimit të vizave, të cilët zgjodhën tregje të reja për të eksploruar, por edhe zhvlerësimi i euros, që gjithashtu vlerësohet si një faktor me ndikim në këtë zbehje të interesit që po bëhet e dukshme nga java në javë.
Në sy ra edhe një tendencë më e ulët e vendasve për të pushuar në bregdetin shqiptar. Këta të fundit, sipas agjencive turistike në vend kanë shënuar rezervime rekord në vende si Greqia, Turqia.
Vala e panikut të çmimeve që ishte përgjithësisht e moderuar në disa rajone dhe ekstreme në disa të tjera duket se luajti rolin kyç në planet e pushimeve në tërësi.
“Monitor”, gjatë fundit të qershorit dhe korrikut, zhvilloi përmes aplikacionit ECR (Engaged Citizens Reporting) një sondazh se ku do të pushojnë shqiptarët këtë vit.
Sondazhi u plotësua nga 659 individë nga i gjithë vendi, duke dhënë një ide mbi tendencat e këtij viti sa u takon pushimeve, kohëzgjatjes, shpenzimeve, strukturave akomoduese, zonave më të frekuentuara.
Të anketuarit kanë renditur disa nga përmirësimet që mund të bëhen për ta bërë eksperiencën turistike më të mirë për pushuesit.
82% e të anketuarve do të pushojnë, pamundësia ekonomike arsye kryesore për ata që s’pushojnë
Sezoni turistik në vend arrin pikun e tij mes 15 korrikut dhe 20 gushtit, por ardhja e të huajve, sidomos nëpërmjet turizmit të organizuar, e ka shtrirë këtë sezon në përtej 100 ditëve.
Promovimi i Shqipërisë në rrjete sociale, apo media ndërkombëtare, ka bërë që interesi të jetë i lartë edhe gjatë pjesës së pranverës dhe vjeshtës por ato që njihen si pushime verore, që nisin në maj dhe mbyllen në shtator.
Individët që iu përgjigjën pyetjeve të sondazhit të “Monitor” raportuan se shumica kishin planifikuar pushime verore këtë vit. Të paktën 541 persona, apo 82% e të anketuarve, iu përgjigjën me “Po” kësaj pyetjeje. Pjesa tjetër, 18%, janë përgjigjur se nuk do të pushojnë këtë vit, duke renditur edhe arsyet.
Të paktën 20% e 118 individëve që nuk kanë planifikuar pushime kanë raportuar se kjo vjen si efekt i pamundësisë për t’u shkëputur nga puna, kurse 9% kanë dhënë arsye të ndryshme.
Në përgjigjet e të anketuarve dominon pamundësia ekonomike, që është shkaku kryesor se pse individët nuk kanë planifikuar pushime.
Të paktën 71%, apo 83 individë, janë përgjigjur se nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar pushimet verore këtë vit.

