Teksa qeveria numëron me krenari rritjen e numrit të turistëve të huaj, duket se biznesi nuk është aspak i kënaqur me të ardhurat që numëron në fund të çdo dite.
Pjesë e sondazhit të “Monitor”, përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting) ishin edhe disa biznese (24).
50% e të anketuarve nga bizneset thanë se të huajt dominojnë në strukturat e tyre hoteliere. Vetëm 20% thanë se dominojnë shqiptarët dhe pjesa tjetër i përmendin të dyja grupet njësoj.
Më Shqipërinë që është marketuar si një vend me kosto të ulët, të huajt duket se janë ata që nuk janë të gatshëm të shpenzojnë shumë.
Bizneset thanë se të huajt janë ata që shpenzojnë më pak, me 48% të zgjedhjes, ndërsa vetëm 24% e të anketuarve thanë se janë shqiptarët ata që kanë buxhete më të ulëta gjatë qëndrimit në akomodimet e tyre turistike. 28% i etiketuan të dyja grupet njësoj.
Të pyetur se cilët janë turistët që shpenzojnë më pak sa i takon kombësisë, kanë renditur italianët të parët, të ndjekur nga polakët. Pas tyre renditen rusët, ukrainasit, çekët.
Në seksionin e komenteve të anketës, bizneset cilësojnë se turisti që viziton vendin tonë kërkon të shpenzojë sa më pak. “Janë turistë super low cost, turistë supermarketi”, – do të shprehej një prej tyre.
Në të njëjtën linjë duket se është edhe komenti i një tjetër biznesi që vlerëson se ata që vijnë në Shqipëri janë tepër kursimtarë dhe e kanë zgjedhur vendin tonë pikërisht për këtë arsye.
Ardhja masive e të huajve drejt Shqipërisë, sidomos vitin e shkuar dhe këtë vit, vjen nga promovimi i gjerë i vendit në mediat ndërkombëtare dhe në rrjete sociale me fokus te kostoja e lirë.
Tituj të tillë si “Vizitoni Maldivet e Europës (Ksamili) që kushton sa një pjesë e vogël e çmimit”, “Jo vetëm pushime të lira” apo “Si të kalosh pushimet në Shqipëri me 100 paund” po bëjnë xhiron e rrjetit, duke nxitur masivisht kureshtarët që udhëtojnë me buxhet të ulët.
Ky lloj turizmi masiv po sjell flukse të larta në disa rajone në vend, diçka që nxiti rritjen e çmimeve në disa rajone dhe si efekt zinxhir solli anulimin e rezervimeve nga një pjesë e të huajve kryesisht italianë, si dhe largimin e vendasve dhe shqiptarëve të Kosovës nga pushimet e fundjavave.
Në fakt, sondazhi tregon se turistët, si vendas ashtu dhe të huaj janë shumë të ndjeshëm ndaj çmimeve.
39% e të anketuarve biznese thanë se çmimi është faktor kryesor në përzgjedhjen që bëjnë klientët në biznesin e tyre, i ndjekur nga cilësia me 29% dhe ambienti me 20%.
Shërbimi është elementi i fundit që turistët marrin në konsideratë kur duan të prenotojnë një njësi akomoduese (12%).
