Punë është bërë. Është bërë ujësjellësi para nja dy vjetësh. Kushtoi një milion euro,” thotë Maksim Mehmetaj, babai i tre fëmijëve, ndërsa pas një suspense disa sekondëshe me një tonalitet të paluhatshëm, pa të lënë mundësinë të dallosh ndonjë dozë ironie apo ankese, të thotë: “Problemi është se nuk ka ujë”.
Bashkëshortja e tij shton se tashmë uji në çezmën e shtëpisë mungon që prej një jave.
Gjithsesi, me apo pa ujë, burrë e grua duken të bindur dhe lënë të kuptohet se, për shkaqe shumë të thella historike, do të votojnë të dielën për Partinë Socialiste dhe kandidatin Vangjel Tavo për postin e kryetarit të Bashkisë Himarë.
Gjendemi në fshatin Tërbaç, një nga fshatrat e pjesës fundore të luginës së lumit Shushicë në Vlorë, një luginë jo shumë e gjerë e rrethuar nga disa nga malet më të larta të Shqipërisë, Maja e Çikës (2044 mnd) në perëndim dhe Maja e Këndevicës (2122 mnd) në veri-lindje. Qendra e fshatit gjendet rreth 6 kilometra larg rrugës kryesore që sot përshkruan të gjithë luginën e Shushicës dhe që del në Qeparo pasi kapërcen malet që ndajnë Fshatrat e Lumit nga Fshatrat e Bregut.
Tërbaçi është padyshim një fshat komunistësh si shumica dërrmuese e fshatrave të përfshira në njësinë administrative të njohur si Horë-Vranisht dhe që përfshin gjashtë fshatra. Ky është vendi ku duket se çdo pëllëmbë tokë është lagur me gjak, çdo pak metra shfaqet një lapidar apo një pllakë përkujtimore, disa në përkujtim të partizanëve të rënë në luftë, të tjerat në përkujtim të viktimave të ekzekutimeve hakmarrëse të gjermanëve apo në përkujtim të ushtarëve italianë të divizionit Perugia që mbetën të vrarë pas dorëzimit të Italisë te aleatët.
