Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer një operacion në disa qytete të vendit, pasi janë firmosur mbi 30 urdhër-arreste pas deklarimeve të të penduarve të drejtësisë, si dhe bazuar në komunikimet në “Sky Ecc”. Mes emrave që janë firmosur urdhë-rarreste nga SPAK janë shefi i krimeve të Durrësit, Agustin Cinari, zv drejtori i Burgut Bradashesh, Martin Musaj pasi dyshohet për lidhje me grupet kriminale në Elbasan. Masë sigurie ‘arrest shtëpie’ është firmosur për ish gjyqtaren e gjykatës së Elbasanit, Pajtime Fetahu e cila është e shkarkuar nga vetingu si dhe dy policë. Shumica prej personave të cilët u është firmosur urdhër-arresti nuk ndodhen në Shqipëri ndërsa deri tani dihet që është ekzekutuar urdhër-arresti për shefin e krimeve Cinari dhe zv/drejtorin e burgut Bradashesh. Dëshmitë e të penduarve Nuredin Dumanit dhe Ejron Alibej dhe zbërthimi i bisedave të aplikacionit Sky- ECC kanë qenë provat kryesore me të cilat SPAK ka kërkuar në GJKKO firmosjen e urdhër-arresteve. Masë sigurie është firmosur edhe për Talo Çelen, një person i shpallur në kërkim dhe i akuzuar për një sërë krimesh, si dhe Hajdar Çopja, i njohur dhe si ‘Dari i Elbasanit’ një personazh i njohur në botën e krimit në Elbasan.
Kush është “Dari i Elbasanit”
Hajdar Bako rezulton i dënuar më parë edhe me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” ndërsa emri I tij ka dalë dhe në dosjen e të pandehurit, Nuredin Dumani. Hajdar Bako shfaqej si një nga porositësit për eliminimin fizik të rivalëve të tij në dosjen e Nuredin Dumanit. Nga dosja hetimore rezultonte se Dumani, ka dëshmuar se grupi i Erjon Alibej alias Agim Shurbi me pseudonimin “Krymi” dhe grupi i Hajdor Bakos alias (Çopja), i thirrur shkurtimisht “Dari”, janë vënë në garë për të eliminuar njëri-tjetrin.
Dëshmia e Nuredin Dumanit
Sipas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani Çopja pranoi t’i jepte 1 milion e gjysëm euro vetëm t’i jepte provën që mundet t’a vriste Erjon Alibej, rivali i tij. Nuredini i shkruajti se e vriste, por nuk e njihte kush ishte Erjon Alibej; Keli i tha se do i jepte 2,000,000 (dy million) euro dhe do dorëzonte Talo Çelën po t’a bëntë këtë; kur Nuredini i kërkoi t’i jepte paradhënie 1 milion euro dhe t’i gjente e dorëzonte Erjon Alibejn, ai i tha “seriozisht”, dhe ia kaloi telefonin Hajdar Çopjas që së bashku me Franc Copja, në dijeni të tij dhe Erjon Alibej janë organizatorët e vrasjeve të familjarëve të Erjon Alibej; Hajdar Çopja pranoi t’i jepte 1 milion e gjysëm euro vetëm t’i jepte provën që mundet t’a vriste Erjonin; Nuredini I këmbënguli se nuk e njihte por megjithatë kishte informacione se ku mund ta gjente; pas kësaj komunikimin me të shkruar me Çopjan e vijoi vetë Erjoni, derisa Çopja ia kaloi telefonin Kel Kamamit të vijonte me të; siç I sugjeroi Erjon Alibej, i vuri afat 10 ditë Kel Kamamit të dorëzonte Talo Çelën, përndryshe do vritej Emiljano Ramazani dhe kur i përmendi se do të vritej dhe kushëriri I tij Regisi, ai tha se kishte shumë kushërinj dhe “nuk i binte mendja për të”, ndaj i tha “vrite po deshe e t’u bëftë pushka top,” thuhet në dosjen
Zbardhen 6 ngjarje kriminale
Në këtë operacion janë zbardhur disa vrasje të ndodhura në disa qytete të vendit, përfshirë edhe Elbasanin. Një nga ngjarjet që zbardhur nga SPAK është ajo që njihet si masakra e Bradasheshit ku u ekzekutua Endrit Alibeaj, Alben Dylgjeri dhe një shtetas rumun me pasaportë turke, mik i familjes. Është zbardhur dhe vrasja e Klevis Kapllanit, mik i ngushtë i Nuredin Dumanit, ku në atë kohë Talo Çelo dhe Nuredin Dumani u përplasën pikërisht për vrasjen e Klevis Kapllanit. Nuredin Dumani dyshonte se Talo Çelo ishte i përfshirë në ngjarje dhe në shenjë hakmarrje, Nuredin Dumani ekzekutoi Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës, 2 ditë pas kësaj ngjarje. Në kuadër të operacionit është zbardhur dhe atentati ndaj vëllezërve Baho, ku njëri prej tyre është i vdekur dhe tjetri i plagosur. Ndërkohë mes personave që janë firmosur urdhërarreste, ka edhe efektivë të policisë dhe ish-zyrtarë të drejtësisë. Sipas të njëjtave burime, masë sigurie “arrest shtëpie” është caktuar edhe ndaj ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu. Pajtime Fetahu rezulton të jetë personi, i cili ka falsifikuar një dokument dhe një vendim gjyqësor. Ajo gjithashtu ka një lidhje familjare me vëllezërit Çopja të Elbasanit pasi njëri nga vëllezërit është i martuar me vajzën e kësaj të fundit. Në kuadër të operacionit të SPAK, për lidhje me grupet kriminale në Elbasan është arrestuar edhe zv.drejtori i burgut, Bradashesh, Martin Musaj. Pasi ka rënë në pranga, Musaj është shkarkuar nga detyra e zv.drejtorit të burgut. Për këtë operacion të madh, SPAK ende nuk ka dale me njoftim zyrtar.
