Një tjetër vrasje e bujshme është zbardhur nga megaoperacioni i SPAK që është zhvilluar në disa qytete, por me fokus në Elbasan. Bëhet fjalë për atentatin ndaj vëllezërve Klevi dhe Eraldo (Aldo) Baho, ngjarje e ndodhur më 1 korrik 2019 në Peqin.
Në këtë atentat mbeti i vrarë Klevi Baho, ndërsa u plagos vëllai, Aldo, ky i fundit ka qenë shënjestra e atentatorëve.
Në atë kohë Klevi Baho, kishte vetëm një muaj që kishte dalë nga burgu në Belgjikë, pasi ishte dënuar për akuzën e vjedhjes.
Klevi Baho ka qenë duke shkuar në shtëpi pas qëndrimit në një lokal të zonës. Në momentin që ka qenë duke ecur, shumë pranë një pike karburanti, atij i ka dalë përpara një person duke iu drejtuar me fjalët: “Ti je Klevi?” 22-vjeçari ka ditur të manovrojë duke i thënë “jo” dhe është larguar.
Për mosnjohjen e tij, ka shërbyer dhe një kapele që i riu kishte nisur të mbante në kokë ne ate kohe. Pasi ka përshkruar një distancë, i ka telefonuar vëllait të tij për ndihmë dhe ky i fundit ka shkuar menjëherë në vendin ku ndodhej me makinë. Por rrugës, duke shkuar në banesën e tyre, ata janë ndjekur nga një mjet.
Pasi janë afruar, autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të makinë tip “Audi”, ku gjendeshin dy vëllezërit.
Kanë qenë familjarët dhe banorët e fshatit që kanë dalë jashtë, pasi kanë dëgjuar të shtënat e armës. Ata kanë identifikuar 30-vjeçarin ne ate kohe, shumë pranë derës së mjetit të plagosur dhe e kanë nisur direkt në Spitalin Rajonal të Elbasanit. Me shenja jete është gjetur edhe Klevini, i shtrirë dhe i plagosur rëndë poshtë një ure. Por, gjatë transportimit për në spital, 22- vjeçari ndërroi jetë.
