Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta duket se është tmerruar nga prangat. Zoti Meta po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për disa afera, njëra prej të cilave është edhe dosja “CEZ-DIA”, për të cilën gazeta ka mësuar se është drejt mbylljes. Për këtë arsye dje Meta ka dalë në një konferencë për shtyp, teksa ka sulmuar ashpër dhe ka hedhur akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani. “Ti nuk arreston dot as Agaçin, lëre Ramën se nga Rama ti ke tmerr. Nuk arreston as Erion Veliajn. Nuk e ndalon aferën e inceneratorëve ku rrjedhin lumë paratë e qytetarëve të Tiranës. Pikërisht sepse ti je ai që ta kam thënë me kohë dhe që të njoh me kohë. Je një zar i këtij regjimi që do mbahet mend si regjimi i dumdumanëve dhe McGonigalëve. Si mund ta hetosh ti dosjen e McGonigal se je pjesë e asaj dosje. Je bashkëpunëtor i ngushtë i Mc Gonigal. Ti vagabond që thua e kam personale me Ilir Metën, ti je një zar i McGonigalëve dhe Ramovicëve. Që nise CEZ-DIA në bazë të denoncimit të një njeriu që është dënuar nga gjykata për dhunë në familje, një mashtruesi. Në dhjetor të vitit 2019. Që sa herë më vinin mua Mc Gonigala të shkelja Kushtetutën si president për kapjen e prokurorisë me 69 vota.
Pjellë e së cilës je dhe ti, pra të Ramaformës”, deklaroi ai. Ndërkohë Meta ka treguar për herë të parë dhe një tjetër histori të lidhur me aferën “CEZ-DIA”. Ai është shprehur se ka pasur një plan për vrasjen e një presidenti të një shteti aleat, ku në lojë kanë hyrë dhe amerikanët, por doli e pavërtetë. Nuk dihet për çfarë flet Meta, por historia e “CEZ-DIA” duket më e thellë. “Ti e di shumë mirë se në atë dosje tingëllon dhe një prokuror i caktuar nga shteti amerikan, me kërkesë të McGonigal për të hetuar një projekt për vrasje të një presidenti në detyrë, vend aleat dhe anëtar i NATO. Ti e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur me këtë çështje dhe në Vjenë ku erdhi prokurori, në prani dhe të ministrit të Drejtësisë dhe u takua me personat dhe u tha se kjo është një fake histori. Po ti nuk ke guxim sepse nuk ke një gram gjak shqiptari”, nënvizoi Meta. Pra duket se kreu i PL, Ilir Meta ka filluar ta ndiejë se është një hap larg burgut dhe ka filluar të sulmojë kreun e SPAK, Altin Dumani, me shpresën se arrestimi i tij do të konsiderohet si politik.
Përfshirja e Berishës në aferën “CEZ-DIA”
Por afera “CEZ-DIA” konsiston në një skemë përvetësimi parash, koordinuar mes kompanisë DIA të Kastriot Ismailajt dhe CEZ, me anë të mbledhjes fiktive të borxhit të keq (faturave të papaguara të energjisë elektrike). Nga dosja penale e dënimit të Kastriot Ismailajt me 11 vite burg, rezulton se nga zbatimi i skemës së nisur në vitin 2010 janë përvetësuar të paktën 5 milionë USD, para të cilat CEZ ia ka kaluar Ismailajt, i cili paraqiste letra false për punë që gjoja i kishte kryer me mbledhjen e borxheve. Në fakt, skema ishte thjeshtë një nga mënyrat e CEZ-it për të ndarë me pushtetarët shqiptarë paratë që akumuloheshin nga abuzimi i përbashkët. Paratë që CEZ i jepte Ismailajt kalonin si kosto në buxhetin e shtetit, pra në kurriz të qytetarëve shqiptarë, pasi CEZ ngrinte herë pas here pretendime për njohjen e borxhit të keq, uljen e çmimit të energjisë që blinte tek KESH dhe që ua shiste me shtrenjtë shqiptarëve, zhvlerësimin e aseteve të OSSH dhe favorizimeve të tjera, të cilat pranoheshin nga qeveria e Sali Berishës. Disa indicie, rrethana dhe dëshmi tregojnë se njeriu që qëndronte pas Kastriot Ismailajt, është Ilir Meta, i akuzuar se ka udhëtuar drejt Pragës për të negociuar në mënyrë të paligjshme kontratën mes CEZ dhe DIA. Por vetë Ilir Meta ka deklaruar se pas Ismailajt qëndron Sali Berisha.
