Gabriel Escobar nuk do të jetë më i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin. Pasi u fol pak kohë më parë se është shkarkuar, duket se ka ardhur dhe vendimi zyrtar i DASH. Departamenti i Shtetit njofton se i dërguari i ri për Ballkanin do të jetë Alexander “Sasha” Kasanof. Ky i fundit që nga 19 korriku, sipas ueb-faqes së DASH-it, është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të DASH-it. Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass. Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë.
Ai madje ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës. “Alexander “Sasha” Kasanof është Zëvendës Ndihmës Sekretari për Ballkanin Perëndimor si dhe për Shtypin dhe Diplomacinë Publike në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Ai ka shërbyer më parë si Asistent Ekzekutiv i ish Nënsekretares për Çështjet Politike, Victoria Nuland dhe ushtruesit të detyrës së Nënsekretarit për Çështjet Politike, John Bass.
Sasha ka shërbyer jashtë shtetit në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai mori çmimin James Clement Dunn për ekselencë për punën e tij si Këshilltar Politik në Ambasadën e SHBA-së në Kiev gjatë Revolucionit Maidan dhe pushtimit pasues të Rusisë në Ukrainë”, njoftoi dje DASH.
Reagon ambasada e SHBA
Ndërkohë nga ana tjetër ditën e djeshme ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka përkujtuar 8 vjetorin e miratimit të Reformës në Drejtësi. Përmes një reagimi zyrtar në rrjetin social “Facebook”, ambasada thekson se SHBA qëndron pranë popullit shqiptar në këtë përpjekje për reformimin e drejtësisë, po ashtu edhe krah institucioneve të drejtësisë në luftën ndaj korrupsionit. Pra duket qartë se ambasada ja ka bërë të qartë politikës se reforma nuk preket dhe se të korruptuarit do të japin llogari.
“Në këtë përvjetor të tetë të miratimit njëzëri të amendamenteve kushtetuese që i hapën rrugën reformës në drejtësi, ne përgëzojmë popullin shqiptar për mbështetjen e tij në zbatimin e saj të pakthyeshëm. Siç e kemi thënë gjatë gjithë kohës, reforma në drejtësi nuk do të ishte e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo po jep rezultate dhe po e bën Shqipërinë një demokraci më të fortë. Ne jemi krenarë që kemi qëndruar me popullin e Shqipërisë në këtë përpjekje të vështirë dhe të guximshme. Do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve të Shqipërisë, teksa ata vazhdojnë të bëjnë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe sjelljen e Shqipërisë më pranë bashkësisë euro-atlantike të kombeve”, shkruan ambasada e SHBA.
Sakaq kujtojmë se në 33 vite pluralizëm politik, reforma në drejtësi është cilësuar si më e rëndësishmja, ndërsa për Bashkimin Europian ishte kushti bazik për çeljen e negociatave. Menjëherë pas miratimit të saj, “peshqit e mëdhenj” ishin në rrezen e ndërkombëtarëve. Paralajmërimin e parë e dha ambasadori i SHBA në atë periudhë, Donald Lu. “Të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen e “peshqve të mëdhenj” në fillim të vitit të ardhshëm, dhe ky sukses të vijojë me SPAK dhe BKH. Dielli duket që në mëngjes”, shprehej ai.
Edhe sot e kësaj dite, të gjithë i kanë sytë te SPAK se kur do të arrestohen ata që kanë 30 vite në politikë. Në 8 vite pati shumë zhvillime. Që nga tentativat e Metës për të kapur Kushtetuesen, te tentativat e Ramës për të vënë në krye të SPAK besnikun e tij. Por amerikanët kanë ndërhyrë gjithmonë në momente delikate dhe të paktën deri më tani, SPAK shihet si organi që e kanë frikë të gjithë.
