Astrit Avdylaj, kreu i bandës së Shijakut, është arrestuar sot nga policia, teksa ndodhej në shtëpinë e tij.
Banda e Avylajve u bë e njohur në Shqipëri për lidhjet e saj me ish-kreun e bashkisë Durrës dhe eksponentë të lartë të Partisë Socialiste nga disa përgjime pjesë e dosjes hetimore për grupin e vëllezërve Avdylaj, të dyshuar për aktivitet në fushën e drogës, e të botuara gazetën gjermane Bild.
Lidhja e zyrtarëve socialist të Durrësi me elementë të krimit dhe ndikimin e këtyre të fundit në fushatën zgjedhore të vitit 2017 e ka denoncuar opozita dhe mediat e huaja. Ndikimi i cili erdhi në rritje nga zgjedhjet në zgjedhje, deri te më të fundit, ato të 14 majit
Përgjimet e BILD vinin në dukje lidhjet direkte që Astrit Avdylaj, kreu i grupit, i arrestuar sot, mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, por dhe me kandidatin e Partisë Socialiste për Shijakun Elton Arbana, si dhe angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë socialiste.
Arrestimi i sotëm i Astrit Avdylajt, provon akuzat e opozitës se Drejtësia e Re, e kontrolluar nga Rama, nuk ka ndërmarrë asnjëherë aksione arrestimi të bandave dhe kapove të tyre para zgjedhjeve. Pra, ato liheshin të kryenin detyrën për pushtetin në zgjedhje, siç ndodhi edhe më 14 maj, dhe pastaj drejtësia përpiqet t’i arrestojë me askione të bujshme.
Sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Astrit Avdylaj ka angazhuar Arben Mërkurin dhe Aldo Avdylajn për të realizuar vrasjen, për llogari të Arben Ndokës. Një tjetër mik i Edi Ramës. Por ndaj tij rëndojnë edhe akuza të tjera, si ajo për trafikim droge, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike.
Rrugëtimi kriminal i Avdylajve ka nisur që në vitet 90′, ku në 1996-ën është vrarë me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit.
Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali ka marrë hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin. Hakmarrja nuk u ndal me kaq, pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin.
Edhe familjarë të tjerë, si Jasmin Avdyli apo Flamur Avdyli janë të lidhur me botën e krimit. Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”.
Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave, por edhe për influencë në përzgjedhjen e kandidateve për deputetë të PS në këtë qark në zgjedhjet e 2017.
I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10-vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.
Pak kohë pas lirimit nga burgu, Avdyli u vendos nën hetim për përfshirje në trafikun e drogërave të forta. Për dy vjet e gjysmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kreu me qindra orë përgjime dhe ndërroi tre grupe prokurorësh, derisa në tetor 2018 ngriti akuza për 44 persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, korrupsion, ushtrim ndikimi të paligjshëm apo falsifikime masive me pronat.
Astrit Avdylaj është liruar nga qelia e paraburgimit dy vite pas arrestimit të bujshëm, në korrik 2021 dhe përfundoi në ‘arrest në shtëpi’.
