Kryetari i demokratëve euroatlantistë, Lulzim Basha, theksoi dje se Sali Berishës i ka mbetur në dorë vula e PD-së dhe i duhet të rishpikë armiq të jashtëm e të brendshëm. Me anë të një postimi në Facebook, Basha shprehet se ish-kryeministri po përdor demokratët për t’u mbrojtur nga drejtësia, SHBA dhe Britania e Madhe. “E kuptoj që Sali Berishës i ka mbetur vula në dorë dhe i duhet të rishpikë armiq të jashtëm e të brendshëm. Pazari me Ramën për t’i lënë atij pushtetin, është goditja më e rëndë ndaj demokratëve dhe shqiptarëve. Asnjë mashtrim nuk e mbulon dot këtë pazar të turpshëm. Sot nuk ka shqiptarë që nuk e di që vula e PD-së u përdor si plaçkë në pazarin e radhës mes Ramës dhe Berishës. Berishës i duhet vula për t’i përdorur demokratët që ende i shkojnë nga pas si mburojë para drejtësisë, SHBA-së dhe Britanisë se Madhe, ndërsa, në këmbim, Rama mban pushtetin për të shtyrë llogaridhënien për korrupsionin që e ka mbërthyer për fyti Shqipërinë. Prandaj dera e shtëpisë politike të Berishës nuk është dera e demokratëve, por e hallexhinjve të SPAK-ut dhe të dëshpëruarve për një karrige. Ajo nuk është dhe as nuk do të jetë dera ime dhe as rruga e demokratëve dhe shqiptarëve që duan ndryshim”, shkroi dje Basha. Përgjigja e kreut të demokratëve euroatlantistë, Lulzim Basha vjen pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë një interviste për mediat ditën e djeshme, ku zeroi shanset për një bashkëpunim mes tyre. “Ka deputetë që po kthehen dera është e hapur. Basha i ka mbyllur vetes çdo derë veç asaj të banesës së turpit. Ai është një nga përgjegjësit për të gjithë procesin e instalimit të narkodiktaturës nga Rama sepse i hapi rrugën të veprojë në këtë mënyrë. Deputetët e tjerë e kanë derën e hapur”, nënvizoi Berisha.
Basha ndarje totale me Berishën, tregon pazarin e “non-gratës” me Ramën: Dera e shtëpisë politike të Berishës nuk është dera e demokratëve, por e hallexhinjve të SPAK-ut dhe të dëshpëruarve për një karrige
Data
