Deputetët e mazhorancës, anëtarë të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me shërbimet publike të sterilizimit dhe të Check-up në shëndetësi, kanë depozituar një kallëzim penal në Prokurori audituesin e KLSH-së, Bexhet Zeqiri.
Deputetët e akuzojnë atë për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për të dëshmuar”. Në shkresën dërguar organit të akuzës ndër të tjera thuhet: “Gjatë seancës së pyetjeve dhe konkretisht gjatë pyetjeve të realizuara nga ana e Zv/Kryetari i Komisionit, në shkelje të parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale, .z Zeqiri refuzoi në mënyrë të përsëritur që të dëshmojë, pavarësisht vënies në dijeni për detyrimin e tij ligjor për të dëshmuar dhe dhënë shpjegime për punën e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar”
Deputetët e opozitës pretendojnë se gjatë seancës së pyetjeve nga ana e zv.kryetarit të Komisionit, Zeqiri refuzoi në mënyrë të përsëritur, pavarësisht se iu bë i ditur detyrimi ligjor, nuk dëshmoi në komision për punën e tij.l
“Nisur nga tërësia e fakteve dhe rrethanave të cituara më sipër, vlerësojmë se ka të dhëna për fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit të kallëzuar z. Bexhet Zeqiri, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimit për të dëshmuar” parashikuar nga neni 307 i Kodit Penal. Kjo është hera e parë që një dëshmitar i thirrur në Komisionin Hetimor, refuzon hapur t’i përgjigjet pyetjeve të bëra nga ana e Komisionit, duke shënuar një rast të rrezikshëm për autoritetin e veprimtarisë së një komisioni parlamentar dhe produktit të tij. Ky rast hap rrugën e refuzimit për të deklaruar nga dëshmitari i thirrur nga ana e komisioneve hetimore, duke dëmtuar në thelb jo vetëm reputacionin e këtij instrumenti parlamentar, por duke krijuar premisa për të dështuar punën e komisionit në marrjen e një prove kaq të rëndësishme, siç është dëshmia”,citohet në shkresë.
Bashkë me kallëzimin, deputetët kanë vënë në dispozicion edhe një CD me materialet filmike të seancës, si dhe shprehin gatishmëri për të dhënë sqarime shtesë sapo të thirren nga organi i akuzës për këtë çështje.
