Avokat i njohur, Idajet Beqiri ka shpërthyer në sulme dhe akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Gjatë një interviste për gazetën avokat Beqiri tregon se kush është i burgosuri “VIP” që zbuloi të gjitha krimet e Sali Berishës dhe Ilir Metës qysh në vitin 2018, ndërsa thekson se SPAK duhet t’i japë statusin e të penduarit të drejtësisë. Po ashtu, Beqiri zbardh prapaskenat e bujshme dhe tregon se kush e shmangu hetimin Shkëlzen Berishës nga afera e koncesioneve në shëndetësi. Sipas tij, është jashtëzakonisht e madhe dhe për turpin dhe të Grupit Parlamentar të PS, por edhe krye turpin e Grupit Parlamentar të PD edhe në Komisionin Hetimor, se me që është Shkëlzen Berisha dhe familja Berisha te koncesioni i Dializës, nuk e futën as për në hetim. Ndër të tjera gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, juristi Beqiri zbulon shkeljet që ka bërë ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe pse rrezikon të arrestohet me urdhër të SPAK.
-Avokat Beqiri, qarkullon një lajm prej ditësh në median shqiptare që shumë shpejtë do të vij një mega operacion nga SPAK-u, një paralajmërim bombë sepse thuhet se bëhet fjalë për 40 urdhër arreste dhe pjesë e kësaj liste janë prokurorë, gjyqtar, polic, anëtar të botës së krimit e madje dhe politikanë?
Problemi është që ky vend duke qenë një vend ku nuk ka sunduar ligji, për afro 30 vite dhe ku ka patur të pandëshkueshëm nga të gjitha fushat, nga krimi i organizuar, nga krimi ordiner sepse në një mënyrë apo në një tjetër kanë ditur që ta blejnë edhe ta mënjanojnë drejtësinë e të marrin pafajësinë kur kanë qenë të fajshëm, thjesht dhe vetëm se e kanë patur xhepin plotë. Një vend i tillë që është i mbytur në krim, posaçërisht një vend i tillë ku politika në këtë vite nuk ka menduar shumë për ta qeverisur këtë vend dhe për të rritur mirëqenien e popullit por pushtetin e kanë blerë, e kanë vjedhur, e kanë marrë thjesht dhe vetëm që të kenë privilegje për veten e tyre, të mbushin xhepat e tyre dhe ta varfërojnë në maksimum. Një vend i tillë që sa herë që thellohesh në hetime, nxjerr mega operacione. Këto janë gjëra shumë të mira dhe tregojnë atë që Struktura e Posaçme e Krimit kundër Korrupsionit të Organizuar, është në detyrë dhe po punon e po lëviz sikurse gjykata e Posaçme, sepse SPAK-u është njëra anë por ajo do të ishte e paplotë dhe do të ishte e vdekur nëse do të ishte një Gjykatë të Posaçme të Krimeve dhe kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pasi ajo ia finalizon, të gjitha veprimet që bën. Duke qenë këto struktura në punë, ne na vjen mirë që krimi dhe kriminaliteti në këtë vend, që janë dy plagët më të rënda të Shqipërisë, sot ka përparime dhe po ecën. Gjithsesi, problemi te SPAK-u është që nuk është krijuar vetëm për këto vepra penale që shkojnë nëpërmjet përgjimeve të ndryshme, i shkojnë me ndihmën e partnerëve ndërkombëtar, i shkojnë me ndihmën e përgjimeve speciale që janë bërë në Francë dhe në Belgjikë. Ne presim nga SPAK-u të finalizojë dhe t’u jap përgjigje atyre kallëzimeve penale e atyre dosjeve të rënda që i ka të hapura, por që i mban në mënyrë hilanjoze, pa emër autori, thjesht dhe vetëm që të fitojë kohë e të zgjasë kohën e saj me qëllim që të mos i kalojnë afatet e hetimit dhe asnjë prej tyre nuk po çon në Gjyq.
-Kujt i trembet SPAK, pse stepet se thatë që i mban më mënyrë hileqare?
Po, është e vërtetë kjo. Puna është se SPAK, sikurse e shikojmë, padrejtësisht mendon se nëpërmjet numrit të madh të njerëzve që çon në gjyq, këtyre grupeve kriminale e duke lëshuar urdhër arreste ku ne fillim ishin 25, më pas 41 e tani thuhet për mbi 150 urdhër-arreste, por nuk është çështja vetëm për shifra, me statistika ato janë mirë. Por me cilësinë e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë shtetëror, ata e filluan mbarë, por sa u zgjuan nga gjumi e në fillim punuan mirë, pasi morën përgjegjësi penale, ish-kryeministrin dhe ish-presidentin e vendit, për një aferë të hapur dhe që ishte e dukshme korruptive, ku pas asaj afere shqiptarët prisnin që pas asaj afere të vinin dhe 130 afera të tjera të Berishës dhe familjes së tij. Të vinin dhe 140 afera të tjera të Ilir Metës me familjen e tij dhe bashkëpunëtorëve të tyre me radhë. Ne pamë që SPAK tani ia ka futur gjumit dhe mendon sikur ua mbushi mendjen shqiptarëve, ia mbushi mendjen këtij vendi me këto mega operacione për gjëra të vogla, e madje dhe ato për prokurorë e gjykatës e me radhë në raport me kriminalitetin e rëndë dhe aferat e rënda korruptive që kanë ndodhur e me grabitjet e mëdha dhe vrasjet skandaloze që janë bërë në këtë vend.
