Dëgjesa me KLSH tek Komisioni Hetimor i Shëndetësisë përplas mazhorancën me opozitën, audituesi denoncon se për 8 muaj shërbim të pakryer Check-up u dhanë 192 mln lekë, Vokshi e Ndreca akuza të forta ndaj njëri-tjetrit

Data

Në 3 orë e gjysmë, Komisioni Hetimor i Shëndetësisë që u mblodh dje nuk prodhoi asgjë tjetër veç debatit për procedurë dhe pretendimeve për konflikt interesi, si një “deja vu” e mbledhjeve të kaluara. Pritej diskutime për kontratat e “check up” dhe “Sterilizimit” dhe shkeljet e evidentuara nga KLSH por debatet morën tjetër rrjedhë. Në rend të ditës ishin parashikuar dëshmitë e 5 audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, por përplasja për pajisjen apo jo me certifikatë auditimi të të parit prej tyre, Bexhet Zeqiri, ashpërsoi debatin mes palëve. Opozita e akuzoi Ndrecën për intimidim dhe presion ndaj dëshmitarëve,ndërsa debatet agravuan me tone të ashpra.

Albana Vokshi: Nuk je këtu për të gjykuar çfarë formimi profesional të auditorit të KLSH-së. E gjykon punëdhënësi, jo ti.

Plarent Ndreca: Nuk gjykova por e pyeta për të krijuar bindjen time sa formim ka për të bërë kontrollin.

Albana Vokshi: Hajde flasim për vjedhje. Mos intimido dëshmitarët.

Flet audituesi

Ndërkohë audituesi i KLSH-së, Bexhet Zeqiri si dëshmitar në komisionin hetimor të Check -up, tha se për 8 muaj shërbim të pakryer Check-up, vlera që është dhënë është rreth 192 mln lekë. Bëhet fjalë vetëm për periudhën e aludimit, në 2015. “Për rastet e pakryera sipas kontratës janë 104 mijë në vlerën 160 mln lekë pa tvsh dhe me tvsh 192 mln lekë, për shërbim dhe punë të pakryer. Për ne konsiderohet që i shkakton dëm buxhetit të shtetit”, tha dje Zeqiri. Bëhet fjalë për shërbimet që janë dhënë mars – nëntor 2015. Zeqiri ishte një nga ekspertët që kanë marrë pjesë në auditimin e zbatimit të kontratës mes MSH-së dhe subjektit 3Plife’ (check-up).  Ka rezultuar se në funksion të zbatimit të kontratës që MSH ka lidhur me subjektin ‘life 3P’ më pas është dhe një kontratë tjetër mbi mënyrën si do të kryhej pagesa, që ishte hartuar mes fondit dhe subjektit 3 P. Mars – nëntor 2015 që është likuiduar në janar 2016 janë paraqitur për pagesë fatura tatimore 330 mijë raste të kryera në vlerën 493 mln lekë pa tvsh dhe 591 mln me tvsh. Por pavarësisht këtyre shifrave insistimi i zv-kryetarit Ndreca vijoi të ishte tek trajnimet dhe certifikata e audituesit. Ndërsa dëshmitari, ngriti dyshimin se insistimi i Ndrecës mund të ishte “hakmarrje” për shkak se deputeti socialist ka qenë objekt i auditimeve të tij në kohën kur Ndreca mbante postin e Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit. Socialistët vendosën të braktisin sallën, ndërsa Vokshi vijoi mbledhjen në praninë vetëm të opozitarëve në minorancë, ndërsa transmetimi live i komisionit u ndërpre nga shërbimet e Kuvendit.

“Langaraq”, Petrit Vasili përplaset me Ilir Metaj

Por Komisioni Hetimor i Shëndetësisë në një moment ka degjeneruar në ofendime mes deputetit të PL-së, Petrit Vasili dhe deputetit të PS-së, Ilir Metaj. Mes tyre janë shkëmbyer ofendime duke sharë njëri tjetrin deri dhe “langaraq”. Ndërkohë që Vasili fliste me mikrofon, Metaj fliste pa mikrofon. Duke ndërhyrë, kryetarja e komisionit, Albana Vokshi tha se do të merrte masë, pasi të zbardhet çfarë ka ndodhur.

Albana Vokshi debaton me Plarent Ndrecën

Më tej nënkryetari i Komisionit Hetimor për kontratat koncensionare në shëndetësi, Plarent Ndreca, pyeti audituesin e KLSH nëse ai kishte kualifikimet profesionale për auditime të tilla. “Në dijeninë time ka standarde të caktuara për auditimin e koncensioneve. Pra, ju nuk keni një certifikatë profesionale në fushë  e auditimit, vetëm jeni punonjës i KLSH”, tha Ndreca teksa audituesi tha se kishte mbaruar studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe punonte në Kontrollin e Lartë të Shtetit prej vitit 2005. Mirëpo kjo shkaktoi debat.

Albana Vokshi: Nuk je këtu për të gjykuar çfarë formimi profesional të auditorit të KLSH-së. E gjykon punëdhënësi, jo ti.

Plarent Ndreca: Nuk gjykova por e pyeta për të krijuar bindjen time sa formim ka për të bërë kontrollin.

Albana Vokshi: Hajde flasim për vjedhje. Mos intimido dëshmitarët.

Pas debatesh me përfaqësuesit e opozitës, mbledhja u ndërpre me dakordësinë e dy palëve për një pushim të shkurtër.

“Hajde vazhdo aty”, Vokshi përplaset me Koçin

Po ashtu, në Komisionin Hetimor për Koncesionet dhe Check-Up, debate Albana Vokshi pati edhe me deputetin e PS, Petro Koçi.

Plarent Ndreca: Nuk mund ti bësh gjyq anëtares së komisionit

Albana Vokshi: Mos e ngri zërin, Ekonomi mbrohet vetë. Jemi këtu për të hetuar.

Petro Koçi: Hajde vazhdo aty.

Albana Vokshi: Me etikë Koçi. Nuk i drejtohesh dot kryetares dhe asnjë kolegu në këtë mënyrë. Mos bërtisni, flisni me edukatë.

Plarent Ndreca: Ruani qetësinë. S’na tregon dot guximin ti. Ngritja e zërit është për shkak të uzurpimit që i bën mikrofonit. Kjo s’do të thotë të abuzosh me këtë dhe të flasësh ti gjysmë ore për çdo anëtar që flet.  Ke gjysmë ore që merresh me njërin prej anëtarëve. Nuk të marr leje se ku futem unë, prandaj i kemi ligjet për të ndarë se çfarë është e drejtë. S’ka asnjë deklaratë të dorëzuar në sekretari.

Reagon Ekonomi

Nga ana tjetwr, deputetja e PS, Milva Ekonomi i është përgjigjur akuzave të opozitës për konfliktin e interesit. Ekonomi theksoi dje në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë, se nuk është në konflikt interesi, ndërsa ishin parashikuar të mbaheshin dëgjesa me përfaqësues të KLSH. Ekonomi tha se kontrata që ka nënshkruar si drejtoreshë e FSDKSH në 2015 me një pre kompanive koncesionare Saniservise, ka qenë kontratë financiare. Po ashtu, ajo shtoi se FSDKSH nuk harton kontrata dhe s’ka qenë në procesin e përzgjedhjes së kompanive. Po ashtu ajo tha se në atë kohë nuk mbante mandatin e deputetes. “Më rezulton se s’kam konflikt interesi. Do ishte e mira të vija me informacione për të ndihmuar këtë komision, me këtë proces pune. Qershor-Dhjetor 2015, kam marrë detyrën në FSDKSH, ka qenë detyrë e komanduar. Duke kuptuar si funksion fondi vetë, është institucion financiar që zbaton kontrata, nuk harton. E kam bërë këtë detyrë duke mos qenë deputete. Konflikt interesi lind në momentin që ti merr mandat deputeti, e kam marrë në 2017. Për periudhën që flasim s’kam konflikt interesi. Skam firmosur kontratë, kam firmosur kontratën e financimit. Skam qenë në procesin e zgjedhjes që i është bërë kompanive”, deklaroi Ekonomi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related