Doli në përgjimet e “Encro Chat” dhe “SKY ECC”, Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron e pasurisë me vlerë 3.1 mln euro të Oltion Bistrit, ish-shefi i Operacionales bashkëpunonte me Pëllumb Gjokën

Data

Pasuria me vlerë 3.1 milion euro e Oltion Bistrit, mes të cilave 10 apartamente, 22 dyqane, e një vilë luksoze duhet të qëndrojnë të sekuestruara. Ky ishte vendimi i djeshëm i Apelit të Posaçëm ndaj ish-drejtorit të Operacionales i arrestuar në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’. Po ashtu është sekuestruar një truall me sipërfaqe 200 m2 në rrugën e ‘Kosovarëve’ në Tiranë, garazh me sipërfaqe 87.8 m2 në Selitë dhe një ‘Range Rover Sport’, vit prodhimi 2012. Më 14 maj 2024 me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur sekuestrimin e 36 pasurive. SPAK njoftoi se ka indicie dhe dyshime se pasuritë janë vënë nga aktiviteti kriminal i Bistrit. Në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’, zbërthimi i aplikacioneve Encro Chat dhe SKY ECC zbuloi rrjetin e anëtarëve të grupit kriminal, ku përfshihej edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-prokurori Xhevahir Lita dhe ish-Shefi i operacionales Oltion Bistri. Ky i fundit akuzohet për ‘korrupsion pasiv’, ‘Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ dhe prej rreth një viti ndodhet prapa hekurave. Komunikimet në aplikacionet e çkoduara, treguan se Bistri shërbente si informatori i çfarë ndodhte në godinën e Policisë së Shtetit, duke ia dërguar Pëllumb Gjokës. Biznesmeni Gjoka kishte një kazino, që nuk lejohej nga ligji dhe për të cilën, sipas përgjimeve në dosjen e SPAK Bistri jepte informacion në raste të operacioneve policore, që mos të goditej kazinoja e Gjokës. Hetimet për ‘Metamorfozën’ u mbyllën më 4 maj dhe SPAK dërgoi për gjykim 7 të pandehurit, përfshirë biznesmenin Pëllumb Gjoka, ish-prokurorin Xhevahir Lita, ish-kreun e Operacionales Oltion Bistri, Behar Bajrin, si dhe 3 të pandehur të tjerë.

Pasuritë e sekuestruara të Oltion Bistrit

– 18 Njësi (dyqane) + 1 Apartament, të ndodhura në rrugën “Todi Shkurti”, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe totale prej 400 m2, kati i 6 (gjashtë), ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 200 m2, Zona Kadastrale 8270, ndodhur në “Rrugën e Kosovarëve”, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 66.5 m2,  ndodhur në kompleksin “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me nr. 18/C, kati i shtatë teknik/8 ndërtim, me sipërfaqe 73.16 m2, i ndodhur në godinën 1, në “Kompleksin Delijorgji”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Njësi (dyqan) me sipërfaqe 125 m2, në katin e parë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Apartament me sipërfaqe 138.3 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;

– Garazh me sipërfaqe 87.8 m2, ndodhur në Selitë, Tiranë;

– Apartamenti me sipërfaqe 100.6 m2, në katin e dhjetë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Njësi (dyqan) me sipërfaqe ndërtimore 72 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Vila A14, në rezidencën “Green Valley”, Tiranë;

–  Apartament me nr. 3, kati i katërt, me sipërfaqe 58.5 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;

– Apartament me nr. 9, kati i dytë, me sipërfaqe 58.9 m2, ndodhur në rrugën “Ndreko Rino”, Tiranë;

– Pasuri e llojit njësi (dyqan), me sipërfaqe ndërtimore 110 m2, ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Pasuri e llojit apartament, me sipërfaqe totale 400 m2, kati i gjashtë, ndodhur në kompleksin e ndërtimit në kryqëzimin e Farmacisë 10, Tiranë;

– Pasuria e llojit njësi, me sipërfaqe totale 95 m2, në katin e parë,  ndodhur në kompleksin e ndërtimit “Square 21”, në Rrugën e Kavajës, Tiranë;

– Automjet i markës “Land Rover” model “Range Rover Sport”, vit prodhimi 2012;

Në total janë sekuestruar

22 – Njësi (dyqane/ambiente biznesi)

10 – Apartamente

1 – Vilë

1 – Truall

1 – Garazh

1 – Automjet

GJKKO jep vendimin për Luiza Mandin

Nga ana tjetër, një vit burg ka vendosur dje Gjykata e Posaçme ndaj ish kryetares së Bashkisë Libohovë Luiza Mandi, në akuzë për shpërdorim detyre. Mandi, e cila ndodhet jashtë vendit, dhe është gjykuar në mungesë në GJKKO, nëse vendimi do marrë formë të prerë do të vuajë 8 muaj burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykimi ndaj Mandit ka ardhur pas një kallëzimi që u depozitua nga një qytetar, i cili denoncoi faktin që në pronat e familjarëve të tij ishin shkaktuar dëme nga një projekt nga Bashkia për zgjerimin e rrugës. Qytetari kishte marrë premtimin nga vetë kryetarja e Bashkisë se pronat do të riktheheshin në gjendjen fillestare, por kjo nuk ka ndodhur. SPAK gjatë hetimeve sekuestroi projektin dhe konstatoi se ishte cenuar prona private, pasi nuk është zbatuar procedura e shpronësimit, çka ka sjellë dhe dëmin ekonomik të kallëzuesit, në një vlerë prej 3.6 mln lekësh të vjetra.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related