Prokuroria e Posaçme (SPAK) ditën e djeshme ka mbyllur hetimet si dhe ka dërguar për gjykim tre punonjës të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë, të cilët akuzohen se kanë abuzuar me një tender me vlerë 143.618.333 lekë, duke favorizuar një kompani e cila nuk përmbushte kriteret. Prokuroria e Posaçme njofton se janë dërguar për gjykim 3 punonjësit, Ledia Ramo, Ortjon Dhami e Engjëll Dedja, të cilët dyshohet se kanë favorizuar kompaninë e Bledar Shemajt, ‘W Center’, për tenderin “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a”, të datës 11.01.2019. Të tre punonjësit e UKT-së akuzohen për veprën penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’. Për gjykim është dërguar edhe biznesmeni Bledar Shemaj, ndaj të cilit rëndon akuza për veprat penale ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve’.
Shkelja në tenderin ‘Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a”
Ndërkohë tre punonjësit akuzohen nga SPAK se gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave kanë ndryshuar njërin nga specifikimet, që kishte të bënte me figurimin në listë pagesa të një punonjësi manovrator të mjeteve të rënda (duke e hequr si kërkesë), me qëllim që të favorizonin shoqërinë “Ë Center” sh.p.k, të pandehurin Bledar Shemajt. Më pas gjatë vlerësimit të ofertave e kanë kualifikuar këtë shoqëri për marrjen e tenderit pavarësisht se nuk përmbushte njërin nga specifikimet e kërkuara, atë të pasjes nga ana e manovratorit të mjeteve të rënda të një leje drejtimi të vlefshme. Ndërkohë që i pandehuri Bledar Shemaj, akuzohet se ka paraqitur në këtë procedurë prokurimi një kontrate pune duke paraqitur rrethana të rreme mbi punësimin e shtetasit Q.M në shoqërinë e tij (si manovrator i mjeteve të rënda), specifikim për të cilin kishte patur ankesa më parë nga operatorë të tjerë, si dhe ka paraqitur rrethana të rreme në deklaratën e plotësuar prej tij si dokument standard mbi kontratat e paraqitura për marrjen me qira të mjeteve me të cilat do të kryente shërbimet, në një kohë që nga zbatimi i kontratës rezulton se shërbimi është kryer duke përdorur mjete që iu përkasin shoqërive të tjera.
Akuzat e ngritura nga SPAK
Sakaq tre punonjësit e UKT-së, Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, i Kodit Penal. Bledar Shemaj, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, parashikuar nga nenet 186/1 dhe 190/1, të Kodit Penal.
GJKKO liron nga qelia avokatin Arben Lena
Nga ana tjetër, GJKKO bën me dije se ka liruar nga qelia ditën e djeshme edhe avokatin e qarkut të Korçës, Arben Lena, i cili u arrestua për korrupsion. Burime bëjnë me dije se Lena do të qëndrojë në masën e ‘arrestit shtëpiak’, deri në përfundim të hetimeve. Kujtojmë se Lena u vu prapa hekurave në Janar të këtij viti me dyshimin se do të ndikonte në Gjykatën e Apelit të Korçës për lirimin e një të arrestuari për trafik klandestinësh. Lena u arrestua më 27 janar, ndërsa akuzohet si pjesë e grupit të 5 personave që tentuan të korruptonin me 5 mijë euro gjyqtarët e Apelit të Korçës, për të liruar nga paraburgimi Bledar Kozici i arrestuar për trafikim refugjatësh. Skema u godit më 26 dhjetor të vitit 2023, ku 3 persona u lanë në burg, 1 në arrest shtëpie dhe 1 tjetër në detyrim paraqitje. Sekserët Nikoll Hafesllarin dhe Nikoll Jeskun do të merrnin 5 mijë euro nga familjarja e të arrestuarit, Artiana Kozici, ndërsa në skemë sipas SPAK është e përfshirë edhe avokatja Dajana Kodra.
