Fabrika imagjinare e vaksinave në Shqipëri/ Gracka e premtimeve boshe në kohë krizash

Data

Në vitin 2021, teksa një pjesë e mirë e shqiptarëve s’kishin bërë ende vaksinën e parë kundër Covid 19, kryeministri Edi Rama premtoi ngritjen e një fabrike vaksinash në Shqipëri. Koha tregoi se premtimi nuk ishte gjë tjetër veçse një manovër politike për të forcuar mbështetje publike në kohën e pandemisë.

Gjatë pandemisë COVID-19, kombet në mbarë botën e gjetën veten duke u përballur jo vetëm me pasojat fizike dhe ekonomike të virusit, por edhe me përhapjen tinëzare të dezinformatave dhe propagandës. Shqipëria, si shumë vende të tjera, kishte sfidat e saj në detin e trazuar të dezinformimit, keqinformimit dhe propagandës.

Një ndër premtimet më të bujshme të asaj kohe ishte zotimi i kryeministrit Edi Rama për të ngritur një fabrikë për prodhimin e vaksinave të ndryshme.

Premtimi

Në fillim të vitit 2021, ndërsa Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, përpiqej të siguronte vaksinat dhe të luftonte përhapjen e virusit, kryeministri Edi Rama doli përpara shqiptarëve me një premtim të guximshëm. “…kemi nisur bisedat për të sjellë në Shqipëri edhe fabrikën e prodhimit të vaksinave. Një fabrikë e teknologjisë së lartë, e cila aktualisht është një ndër kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë”– deklaronte Rama, teksa pretendonte se vaksinimi kundër Covid 19 mund të bëhej i detyrueshëm dhe i përvitshëm.

Planet për ngritjen e një fabrike moderne të dedikuar për prodhimin e 7 vaksinave në Shqipëri, sipas kryeministrit, jo vetëm do të mbulonin nevojat e tregut vendas por edhe do të eksportoheshin. “Janë prodhime të rralla që mund të eksportohen dhe patjetër që mbulojnë edhe nevojat e tregut vendas…mos mendoni që historia do të mbyllet kaq kollaj, sepse sipas të gjitha gjasave vaksina anti covid do të jetë një vaksinë që do të bëhet rregullisht. Si një vaksinë gripi. Dhe nga ana tjetër nuk besoj se tani do filloni të ankoheni ç’na duhet fabrika…” – paralajmëronte kryeministri Edi Rama asokohe.

Sipas deklartatave publike, fabrika do të ndërtohej në bashkëpunim me një kompani farmaceutike turke që bënte shpërndarjen e vaksinës Sinovac.

Si u pasqyrua premtimi në media

Në mars të 2021, ngritja e një fabrike vaksinash, u shndërrua në kryelajmin e mediave kryesore të vendit, qofshin ato tradicionale apo mediat online. Nëse shkruan në motorrin e kërkimit google fjalët kyçe ‘Fabrikë vaksinash në Shqipëri’ të dalin mbi 10, 000 rezultate.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related