Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, fillimisht zoti Çupi tregon se çfarë fshihet pas protestës së Rithemelimit të Sali Berishës dhe Partisë së Lirisë së Ilir Meta para Bashkisë së Tiranës. Analisti thekson se Partia Demokratike, referuar kohës kur drejtohej nga Berisha, e ka nisur punën për të djegur vendin që në fundin e vitit 1990. Sipas tij, PD-ja lindi dhe u rrit me objektivin e vetëm: ‘Digj, shkatërro, rrëno, elimino!’. Më tej gazetari i njohur, komenton vajtjen e Erion Veliajt në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), teksa thekson se ky është një rast shumë i mirë për të thënë se drejtësia e re dhe e reformuar po funksionon. Sipas tij, kryebashkiaku Veliaj kërkoi vetë që të paraqitet e të japë shpjegime me gjithçka di për disa dosje që po heton SPAK dhe se për këtë iniciativë ai duhet përshëndetur. Ndërkohë gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, analisti i njohur, Frrok Çupi jep detaje nga ngjarja e madhe që nuk ka ndodhur kurrë më parë në Shqipëri, ndërsa zbulon se SPAK po lidh dhe po u merr pasurinë e grabitur dy presidentëve e dy kryeministrave. Nga ana tjetër, analisti Çupi tregon gabimin shumë të madh që bënë gazetarët italianë të “RAI 3” për marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët.
-Zoti Çupi, pesë protestat para Bashkisë së Tiranës për “kokën” e Erion Veliajt të thirrur nga Rithemelimi dhe Partia e Lirisë por që lejen në polici e merr Aleanca për Teatrin kanë degjeneruar në dhunë. Si e shihni këtë situatë? Teksa jemi përpara zgjedhjeve të përgjithshme, a mendoni se prioriteti i kyç i opozitës është Bashkia e Tiranës?
‘Pse i janë sulur Bashkisë për ta djegur?’, është pyetja. Nuk ka asnjë surprizë në këtë mes. Partia Demokratike do të ishte çudi nëse nuk do të digjte e rrënonte; herë Bashkinë, herë qytetin, herë Parlamentin, herë shkollën e herë vreshtat. Partia Demokratike e ka nisur punën për të djegur vendin që në fundin e vitit 1990. Ajo lindi dhe u rrit me objektivin e vetëm: ‘Digj, shkatërro, rrëno, elimino!’. Tashmë është e njohur ‘vepra’ e Partisë Demokratike kundër interesave të vendit, në shkatërrimin e vlerave ekonomike industriale dhe agrokulturore, në arsim e kulturë, në vlerë kombëtare e gjithçka. Janë numëruar rreth 5000 vepra, të mëdha e të vogla, industriale, që janë shkatërruar me urdhër nga lidershipi i Partisë Demokratike. Në vitin 93, vetë gazeta zyrtare e PD shkruante me entuziazëm se ‘u shkatërruan 700 shkolla’. Maska e tyre ishte ‘lufta kundër komunizmit’. Sa ka marrë frymë Berisha dhe PD e tij, aq kohë ka punuar për të djegur e shkatërruar vlerat e Shqipërisë… Ju tani pyesni pse duan të djegin Bashkinë e Tiranës?
-Po thirrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj për 8 orë në SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës si e komentoni?
Është një rast shumë i mirë për të thënë se Drejtësia e re dhe e Reformuar, po funksionon. Kryetari i Tiranës paraqitet në derën e Prokurorisë Speciale dhe jep shpjegime për çfarë ka ndodhur nën juridiksionin e tij me një çështje të prezumuar korruptive. Është edhe një element tjetër: Zoti Veliaj kërkoi vetë që të paraqitet e të japë shpjegime me gjithçka di, madje shumë prej atyre fakteve që vetë SPAK nuk i di, ose i duhet shumë kohë për t’i gjurmuar. Mos harrojmë një gjë: Kurrë në histori nuk ka ndodhur që një zyrtar i këtij niveli të paraqitet para Prokurorisë për shpjegime. Sikur të mos ndodhte, atëherë do të ishte për t’u shqetësuar. Zor se ka një kryetar bashkie në Botën e Përparuar që nuk është përgjigjur para institucionit të Hetimit; duke nisur që nga presidenti Shirak i Parisit kur ishte kryetar i Bashkisë. Pse? Sepse në këtë institucion ndodhet pasuria e qytetarëve, aty ndodhet interesi i afërt, aty ndodhen vlerat dhe dyshimet gjithashtu.
-Pse mendoni se u zbyth gazetari italian i “RAI 3” për publikimin e fakteve të reja për qeverinë “Rama”? Mendoni se emisioni “Report” bazuar në akuzat digjitale të Sali Berishës kishte frikë nga hedhja në gjyq për shpifje?
Gazetarët italianë bënë një gabim shumë të madh në raport me deantologjinë e profesionit. Nuk mund të ndodhë që një gazetar të sulmojë dikë, qoftë edhe kryeministri i Shqipërisë, duke u nisur qëllimisht dhe prej fillimit. Aq më keq një gazetar që merr frymë në një vend të rëndësishëm të Europës politike dhe kulturore. Ishte një model i tmerrshëm për gazetarë të Shqipërisë apo vendeve të tjera të ardhur vonë në lirinë e shprehjes. Mendoni sikur të jetonte sot Indro Montaneli dhe të shikonte si bëjnë dy gazetarë të vendit të tij?! Do të kishte vdekur edhe pas vdekjes.
-Si i shihni sulmet e shtuara të politikës ndaj kreut të SPAK Altin Dumani? Pse kanë frikë nga drejtësia e re, kur nëse pretendojnë se janë të pastër hetimet e prokurorëve nuk mund të nxjerrin asgjë?
A mund të më thoni një nga mafiozët më të tmerrshëm të botës që nuk ka shkuar në qeli duke sharë prokurorin dhe gjykatësin. KA ndodhur edhe më keq: I kanë vrarë si prokurorin edhe gjykatësin. Nuk është e lehtë lufta kundër krimit të organizuar; këta kanë edhe shumë para dhe kriminelë me vete. Meta bashkë me ata që e dini, janë ‘në ngordhje’, dmth., para qelisë. Kanë kryer vepra të tmerrshme kundër njeriut dhe kundër vendit. E çfarë presim ne që Saliu dhe Iliri të jenë ndryshe nga ata që janë? Jemi në kohën e një ngjarjeje që nuk ka ndodhur kurrë më parë, madje as për kombe të tjerë të mëdha. Po ndodh që Shqipëria po lidh dhe po u merr pasurinë e grabitur dy presidentëve dhe dy kryeministrave… Ku ka ndodhur kjo gjë kaq e madhe?
-Pozitat e Partisë Demokratike si i komentoni? Mendoni se Jorida Tabaku, apo Gazment Bardhi mund t’i marrin karrigen Lulzim Bashës?
Pozitat e PD janë shumë mirë, pak nga pak po shpërbëhet. Nuk mund të jetonte Partia Demokratike në një qytetari që nuk i përket asaj. PD kishte atmosferën e vet, me njerëz të egër, hajdutë, vrasës, që mbijetojnë në baltë dhe ndihen mire. Nuk ka më nga këta qytetarë. Qytetarët tani nuk kërkojnë armë nga Saliu as nga Iliri, as kërkojnë barut, as kërkojë të vidhen të tjerët. Kjo kohë kaloi bashkë me Partinë Demokratike kreu vepra të tmerrshme kundër vendit. Si mund të ‘rithemelohet’, apo të ribëhet? PD ka armik popullin. Po ndodh shumë natyrshëm që po bëhet pjesë- pjesë të vogla, e më në fund të harrohet. Harrohet e keqja.
