Rrëfehet Edi Rama, nga arrestimet “VIP”, protestat kundër Veliajt, zërat se ka sherr me kryebashkiakun e Tiranës, sulmet e Metës ndaj SPAK, dosja Xibraka”, deri te akuzat se kontrollon drejtësinë dhe mbrojti Xhaçkën

Data

Kryeministri Edi Rama ka komentuar dje situatën politike në vend, ndërsa e ka ndalur theksin tek arrestimet “VIP”, protestat kundër Erion Veliajt, zërat se ka sherr me kryebashkiakun e Tiranës, sulmet e Ilir Metës ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK), akuzat se kontrollon drejtësinë dhe mbrojti Olta Xhaçkën. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, fillimisht kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga opozita, se Partia Socialiste kontrollon drejtësinë e re. Kreu i qeverisë tha se nëse do të donin të kontrollonin drejtësinë, nuk do ta reformonin atë. Rama tha se SPAK ka mbështetjen e plotë të mazhorancës, teksa theksoi se ka vetëm një kërkesë për Prokurorinë e Posaçme. Ai theksoi se i ka kërkuar që proceset hetimore të jenë të thella e të pandikuara. “Po të donim ne të kontrollonim drejtësinë nuk e reformonim. Po të donim ne të mbanim drejtësinë e kapur, të pranoja që në krye të SPAK të ishte një njeri i ndershëm apo një tjetër njeri i ndershëm, njerëz të ndershëm, minimumi jetik. E vetmja gjë që kam kërkuar dhe insistoj është që raporti me institucionet të jetë korrekt dhe proceset hetimore të jenë të thella e të pandikuara e çdo njeri nuk duhet të trajtohet siperson i nevojshëm për proces. Ky ka qenë e vetmja kërkesë. Pjesa tjetër nuk është fare puna jonë. Ata dinë ata e bëjnë”, deklaroi ai.

Raportet me Veliajn

Më tej kryeministri Edi Rama theksoi se SPAK duhet të godasë kudo ku ka prova, ndërsa hodhi poshtë edhe aludimet për një ftohje të raporteve me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Kur SPAK vepron dhe shkelësit e ligjit ekspozohen para publikut, për kryeministrin është një lajm i mirë njëkohësisht dhe meritë e PS e cila siç nënvizoi ai ka reformuar drejtësinë. “Kjo pyetja si është raporti juaj me këtë burrë me atë burrë është një pyetje që e shoqëron historinë e marrëdhënies së medias me njerëzit publik dhe nuk do na ndahet. Pastaj kjo ka krisje, ftohje në marrëdhënien e tyre i kam parë edhe më parë… Miku im, e njëjta përgjigje vlen edhe për këtë pyetje, SPAK t’i nxjerrë ujin e zi korrupsionit dhe ku ka arsye ku ka prova për këdo qoftë që nga njëra anë është rreshtuar sipas shkallëve të caktuara në frontin e shtetit për punën e përbashkët dhe nga ana tjetër e shfrytëzon pozicionin e tij në atë front për punën e përveçme dhe krejt të pa amnistueshme për përfitim të paligjshëm të godasë dhe të mos pyesë as majtas as djathtas por vetëm drejt. Në fund të ditës kjo është gjëja që kam dashur dhe që kam kërkuar. Lufta jonë kundër korrupsionit nuk ka filluar me SPAK, ne kemi bërë shumë gjëra për ti ngushtuar hapësirat korrupsionit. Ama na ka munguar në këtë luftë krahu i armatosur që është SPAK dhe GJKKO. Sepse shumë mund të mendojnë se kur një drejtor kapet në shkelje të ligjit apo si person që ka futur duart në arkën e shtetit, apo në xhepin e popullit, po kapet një i joni, jo nuk kapet një i joni, kapet dikush që me ne nuk ka asnjë lidhje. Kur ndodh kjo për mua është një ditë e mirë është një hap përpara. Se ne kemi bërë shumë gjëra për ta ngushtuar hapësirën e korrupsionit”, u shpreh ai. Po ashtu, Rama theksoi se reforma në drejtësi u krijua falë Partisë Socialiste. “Kur SPAK vepron dhe kur tipa të tillë ekspozohen para publikut dhe përballen me dritën e ligjit është lajm i mirë dhe meritë e PS në radhë të parë që i hyri detit në këmbë për këtë punë. Po të donim ne që të kontrollonim drejtësinë ne nuk e reformonim drejtësinë. Ti mund të kontrollosh një drejtësi të kapur, si ajo e deri djeshmja që ishte e qartë bëni çfarë të doni me popullin dhe pronat. Shitni e blini drejtësinë por mos na prekni ne. Në këto kushte nuk kapet dot drejtësia, aq më tepër që nuk ka asnjë pendesë nga ana jonë orë si e bëmë këtë punë. Të gjitha të metat gabimet boshllëqet janë normale sepse është proces. E vetmja gjë që kam kërkuar është që raporti me njerëzit të jetë korrekt, raporti me institucionet të jetë korrekt, proceset hetimore të zhvillohen të thella të pandikuar ama njerëzit e shtetit, në zyrat e shtetit duhet korrektesë maksimale”, tha ai.

Akuzat e opozitës ndaj Veliajt

Sakaq, kryeministri Rama komentoi protestat e Rithemelimit para Bashkisë së Tiranës me molotovë. “Patjetër i kam ndjekur, por është një pikturë që flet vetë. Shpeshherë njerëzit pa dashje duke u përpjekur të bëjnë diçka tjetër, ekspozojnë diçka krejt tjetër. Ekspozojnë atë që thashë. Nuk janë të vërtetë. Janë me probleme, me halle, me sekëlldi të mëdha dhe kërkojnë të nxjerrin veten nga një batak ku e kanë futur veten dhe nuk ia ka fajin kush. Askush, kështuqë ça mund t’i thuash”, shtoi ai.

Gjykata Kushtetuese

Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka argumentuar qëndrimin e PS kundër dërgimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatë Kushtetuese. Në gjykimin e saj në themel, Rama tha se Gjykata nuk dha vendim për heqjen e mandatit, duke bërë që vendimi i saj sipas tij të ishte i pazbatueshëm.  “Nuk ka të bëjë votimi në parlament me personin. Ka të bëjë me faktin që siç e na e kanë thënë shumë ekspertë që ai vendim i gjykatës kushtetuese ishte praktikisht i pazbatueshëm sepse gjykata kushtetuese është rojtare e kushtetutës dhe ka të drejtën të ndërhyjë dhe të përcaktojë pozicionin në raport me kushtetutën të çdo nisme të kthyer në ligj që cenon kushtetutën. Por gjykata kushtetuese nuk e ka as detyrë as të drejtë e as mundësi që ti thotë parlamentit sesi duhet të veprojë për një rast apo një tjetër. Nuk ia thotë dot këtë sepse parlamenti është sovran. Nuk funksionon kështu, është kaq e thjeshtë kaq e qartë, nuk ka asnjë lidhje fare. Gjykata Kushtetuese e kishte aty çështjen, bëri një gjykim në themel të gjerë dhe të gjatë dhe nuk dha vendim për heqjen e mandatit. Nëse do kishte dhënë vendim do ishte e padiskutueshme. E kërkuan dhe nuk e dha. E kishte aty. Gjithë ky konfuzion ishte produkt i konfuzionit mes opozitave që çuan dy kërkesa. Ata janë në luftë kush është i vërteti dhe kush i gënjeshtërti. Ata janë të gjithë bashkë dhe kanë thënë ne jemi të gjithë të vërtetë. Fakti që janë në luftë tregon se janë të gjithë të gënjeshtërt”, theksoi Rama.

Dosja “Xibraka”

Nga ana tjetër, kryeministri Rama u shpreh nuk ka reaguar për akuzat në RAI ndaj vëllait të tij pasi janë çështje personale dhe diçka të tillë nuk e ka bërë kurrë. Emisioni ‘Report’ i RAI 3 publikoi reportazhin ku thuhej se Olsi Rama ka lëvizur me të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, që kishte lidhje me laboratorin e drogës në Xibrakë në vitin 2015. Rama thotë se për këtë çështje i takon SPAK të thotë se kush është fajtor. “Sepse nuk është një çështje personale. Unë nuk reagoj për çështje personale. Unë nuk kam reaguar për çështjen e tim vëllai as këtu në Shqipëri. Im vëlla është 55 vjeç. Ka të gjithë kapacitetin e tij dhe detyrimin të përballet si gjithë të tjerët. Kështu që ajo është një çështje që i takon këtu tani drejtësisë. I takon SPAK, Gjykatës Speciale. Të vendosin kush është fajtori në këtë. Aty ka një pjesë që më lidh mua, kam bërë këtë kam bërë atë. Dhe për atë pjesë më duket se është padia numër 22, e imja për këta shqiptar që janë bartës të atij mallkimi që kanë shqiptarët që nga 1912”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related