Denoncimi’ i bujshëm i televizionit “RAI 3” për implikimin e pretenduar të Olsi Ramës në dosjen se laboratorit të kokainës në Xibrakë, deri më tani me faktet dhe provat që janë prezantuar del se është një gënjeshtër banale dhe sharlatanizëm politik, por mund të jetë edhe një përpjekje për shantazh dhe pazar. Gazetari i këtij televizioni ka nxjerrë nga arkivat e Gazment Bardhit dhe Sali Berishës të gjitha akuzat kundër Olsi Ramës për dosjen Xibraka, të cilat vazhdojnë të qarkullojnë prej vitesh dhe përdoren në momente delikate, siç është situata e tanishme e përballjes së kryeministrit me drejtësinë me korrupsionin e vjetër, por edhe me atë të ri. Sali Berisha nuk e fshehu që është personazhi kryesor që i luan fijet në këtë mes, pasi u shfaq në ekranin e “RAI 3”, një ekran që kontrollohet nga partitë e ekstremit të majtë në Itali që e godasin kryeministren e djathtë italiane Meloni. Deri këtu ka goxha sens, pasi Berisha, si opozitar i djathtë e ka kundërshtar Edi Ramën dhe aleanca me “RAI 3” bashkohen, por ajo që çalon në këtë mes janë akuzat e vjetra që janë hedhur. Riciklimi i akuzave dhjetëra vjeçare që përsëriti vetëm pak javë më parë Bardhi se emri i Olsi Ramës është fshirë nga dosjet gjyqësore, u thanë edhe nga media italiane. Madje u nxorën po të njëjtat dokumente.
Lufta politike
Gjithashtu ky televizion i majtë e ka në gjak censurën, pasi ashtu siç përdorën rastin e Olsi Ramës, apo edhe denoncimin për Engjell Agaçin, ku nuk u dëgjuan reagimet e palës mbrojtëse, shkaktuan skandal para disa ditësh dhe me një autor italian të një profili të lartë. Ky i fundit ka akuzuar Rain për censurë pasi monologu i tij antifashist u ndalua papritur nga transmetimi, në atë që ai e quajti “demonstrimin përfundimtar” të përpjekjeve të supozuara të qeverisë së Giorgia Melonit për të përdorur pushtetin e saj mbi transmetuesin shtetëror. Antonio Scurati do të lexonte monologun që shënon festën kombëtare të 25 prillit, e cila feston çlirimin e Italisë nga fashizmi, në një nga emisionet e Rai 3. Por ndërsa përgatitej të udhëtonte për në Romë, ai mori një shënim nga Rai që i thoshte atij se paraqitja e tij ishte anuluar “për arsye editoriale”. Scurati është i njohur në Itali për librat e tij për diktatorin Benito Musolini dhe periudhën fashiste. Anulimi i monologut të tij shkaktoi reagime të ashpra nga gazetarët e Rai, kolegët autorë dhe liderët e opozitës. Fjalimi i tij iu referua Giacomo Matteotti, një kundërshtar politik i Musolinit i cili u vra nga vrasësit fashistë në vitin 1924, dhe masakra të tjera të regjimit. Ai përmbante gjithashtu një paragraf që kritikonte liderët “post-fashistë” të Italisë se nuk “hidhnin poshtë të kaluarën e tyre neofashiste”. “Pa dyshim, kjo është ajo që i zemëroi ata”, tha Scurati për Guardian. Drejtori i Rai, Paolo Corsini mohoi që monologu të ishte censuruar, duke u thënë mediave italiane se fjalimi u anulua për shkak të tarifës “më të lartë se sa pritej” kërkuar nga Scurati. Por ky i fundit tha se tarifa e tij ishte rënë dakord dhe kontrata e nënshkruar para monologut do të transmetohej. “Tarifa ishte krejtësisht në përputhje me ato që u paguheshin autorëve… Ishte njësoj si në të kaluarën, kur nuk kishte probleme.” Partia e Melonit ka origjinë neofashiste, erdhi në pushtet në tetor 2022 me një koalicion që përfshinte Ligën e ekstremit të djathtë dhe Forza Italia të të ndjerit Silvio Berlusconi. Gjatë fushatës zgjedhore, Meloni tha se partitë e krahut të djathtë “e kishin dorëzuar fashizmin në histori për dekada tani”. Megjithatë, Scurati pohoi në monologun e tij se kur u detyrua t’i drejtohej fashizmit në përvjetorë historikë, Meloni “ka qëndruar me kokëfortësi në vijën ideologjike të kulturës së saj neofashiste të origjinës”, për shembull duke fajësuar persekutimin e hebrenjve nga regjimi Musolini dhe masakrat e tjera vetëm në Gjermaninë naziste. Meloni është kundërpërgjigjur duke publikuar fjalimin në faqen e saj në Facebook, ndërsa ka sulmuar Scuratin dhe ka akuzuar të majtën se “i bërtet regjimit”.
