Çdo hap para i Kosovës në rrugën europiane, mund të përkthehet si dy hapa pas për Serbinë, në të njëjtën kohë. Dhe kjo jo për faj të Kosovës apo ndërkombëtarëve, por vetë Serbisë, reagimet e të cilës vazhdojnë të jenë të pakontrolluara dhe agresive. Sigurisht, edhe fakti që Kosova ka hedhur një hap historik për aderimin në institucionin më të rëndësishëm të Europës, Këshilli i Europës, nuk është “përtypur” nga Serbia, e cila nuk priti as 24 orë për të shprehur zemërimin e saj. Sidoqoftë, kësaj here nuk ishin vetëm retorikë agresive, apo kërcënime të zakonshme, pasi Beogradi zgjodhi një “hakmarrje” disi ndryshe, duke shkaktuar kaos në kufi, dhe duke penguar udhëtarët kosovarë të lëviznin lirisht. Metodë, që sigurisht, nxiti reagime të ashpra në Kosovë, por edhe nga SHBA dhe BE.
Kaosi në kufirin Serbi-Kroaci
Nga orët e para të së mërkurës, mbi 300 qytetarë të Kosovës u bllokuan në Serbi, në pikë kalimin me Kroacinë, kanë bërë të ditur disa shtetas të Kosovës dhe Zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi. Fatmir Haxholli nga kjo zyrë tha mëngjesin e djeshëm se kjo ka ndodhur në shenjë hakmarrjeje ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion. Haxholli, si dhe qytetarët e bllokuar, konfirmuan se autoritetet serbe ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet duke i mbajtur. Mbi 300 qytetarët, u liruan në mbrëmje, siç bëri të ditur njëri nga zyrtarët e kompanive të autobusëve që ndodheshin në pikën kufitare. Gjatë gjithë kësaj kohe, disa prej qytetarëve të ndaluar janë marrë në pyetje nga autoritetet serbe për “verifikim”.
Akuzat e Prishtinës
Ky veprim i Serbisë nxiti reagime të shumta, si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj. Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka dënuar sjelljen e Policisë së Serbisë në kufirin Kroaci-Serbi, duke e quajtur këtë veprim të policisë serbe provokim. Edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se pas votimit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Serbia po mban në mënyrë të paligjshme për orë të tëra qindra qytetarë në pikat e saj ndërkufitare. Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç kishte nisur të bënte realitet kërcënimet e tij. Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti e konsideroi situatën pa dyshim “hakmarrje nga Serbia”. Ndërsa, sipas presidentes Vjosa Osmanit, personi përgjegjës për këtë është presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Ajo i bëri thirrje partnerëve të vepronin shpejt.
Reagimi i BE-së
Dhe në fakt, reagimet erdhën shpejt edhe nga BE. Brukseli e ka vlerësuar shkelje të Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes veprimin e autoriteteve të Serbisë, e cila ka bllokuar qytetarët kosovarë në kufijtë e saj, teksa i ka bërë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e tilla të njëanshme. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se ishin duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar. “Situata aktuale përbën shkelje të kësaj marrëveshjeje dhe ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprime të tilla të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe t’i kthehet menjëherë respektimit të marrëveshjes”, ka theksuar Stano. Ai po ashtu ka thënë se BE-ja pret që palët të zbatojnë plotësisht të gjitha detyrimet e tyre të dialogut, që sipas tij mbeten të vlefshme dhe detyruese. Mbi ngjarjen ka reaguar edhe raportuesja për Kosovës në Parlamentin Europian Viola von Cramon, e cila tha se Serbia duhet të ndalë së turpëruari veten.
“Fjala e fundit”
Asambleja Parlamentare ka votuar pro me shumicë votash që Kosova të avancojë edhe më tej drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës. Pro votuan 171 deputetë, ndërsa kundër ishin 29, 11 abstenuan. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi ika plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës. Tani, fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.
