Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duket se është kthyer në një kërcënim ekzistencial për kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Pak ditë më parë Rithemelimi i Berishës dhe Partia Socialiste arritën një Pazar. Edhe pse ditën bëjnë sikur zihen, natën ata kurdisin intriga të “nëndheshme” dhe sapo “dielli lan vendin”, ata ulen në tavolinën e pazarit. Kështu ndodhi edhe me të ashtuquajturën marrëveshje, e cila ka qëllim kryesor që binomi Rama-Berisha të mbajnë kontrollin e politikës së bashku, ndërkohë që retorika për revolucion e artikuluar nga Rithemelimi rezultoi se ishte gënjeshtër. Ky pakt i arritur mes tyre, nuk u prit mirë në demokratët dhe socialistët, të cilët dolën hapur kundër tij. Përballë kësaj revolte, që i tregonte me gisht se janë tradhtar dhe se për interesin e tyre janë gati të bëjnë pakt edhe me Djallin, Rama dhe Berisha hapën fronte të reja “lufte” për të shmangur vëmendjen nga ta. Menjëherë pas pazarit, u goditën drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Dhe si sebep për të denoncuar korrupsionin, grupimi i Rithemelimit ka dalë në protestë kundër kryebashkiakut Erion Veliaj. Ky i fundit shihet si “Ylli” në ngjitje Erion Veliaj, e mesa duket ka prishur rehatinë e Berishës dhe Ramës, të cilët për të mos pësuar një fat tragjik, po luajnë të gjitha kartat që të zhdukin çdo kundërshtar që iu del përpara.
Skema
Betejën kundër Lali Erit” e udhëheq ish-kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Belind Këlliçi. Por nga mbrapa Këlliçi nuk ka vetëm mbështetje të fortë Berishën dhe Metën, por edhe një pjesë të strukturave socialiste me në krye vetë kryeministrin Rama. Belind Këlliçi është bashkëshorti i Ana Shkrelit, vajzës së ish-zv ministrit socialist Artan Shkrelit, emër i njohur i partisë në pushtet dhe kupolës së qeverisë, i privilegjuar i Edi Ramës me poste të larta në qeverisjen e tij. Por kjo nuk është lidhja e vetme e Këlliçit me Partinë Socialiste. Ndërsa ai bënte opozitë, vëllai i tij merrte pagë nga një degë e Ministrisë së Transporteve që drejtohet nga Belinda Balluku. Pra në këtë situatë kryeministri Rama mund të përdorë të njëjtën skemë që ndoqi me Sali Berishën, të cilit i dha Bashkinë e Shkodrës nëpërmjet Tom Doshit në vitin 2022, nëse do arrijnë të bëjnë “kurban” Veliajn. Pra gjithë armiqtë e Veliajt, janë bërë bashkë. Ndërkohë paralelisht enturazhi mediatik i Berishës që mbështet me reklama shtetërore nga kryeministri Edi Rama dhe politikën pranë Rithemelimit kanë nisur edhe një fushatë sulmesh ndaj zotit Velaij. Mirëpo teksa ky i fundit ndodhet në situatë të vështirë, asnjë eksponent i Partisë Socialiste nuk ka reaguar për t’i dalë në krah, ç’ka tregon se kryebashkiaku Erion Veliaj mund të jetë “llokma” e Rilindjes për pazarin me “non-gratën”. Megjithatë surprizat nuk përjashtohen dhe në politikën shqiptare nuk kanë munguar kurrë. Kështu që mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Reagimet kundër Veliajt
Sakaq, kujtojmë se javën që shkoi “kamikazë” të Rithemelimit protestuan para Bashkisë, ndërkohë që sot në orën 11:00 ata kanë thirrur sërish një protestë përpara institucionit që drejtohet nga Veliaj. Fillimisht ka qenë anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Belind Këlliçi, i cili dje përmes një postimi në rrjetet sociale i ka drejtuar një apel qytetarëve që të bashkohen në protestën që do të mbahet ditën e enjte, pra sot në orën 11:00, para Bashkisë së Tiranës. Ndërsa e cilëson Veliajn si kreun e organizatës kriminale “5D”, Këlliçi shprehet se ai ka marrë peng zyrën e Kryebashkiakut dhe e ka vjedhur me paratë e korrupsionit të tij. “Nesër, e enjte, ora 11:00, sërish në protestë përpara Bashkisë Tiranë. Të nxjerrim Erion Veliajn, kreun e organizatës kriminale 5D dhe pronarin faktik të inceneratorit të Tiranës, nga zyra që ka marrë peng dhe e ka vjedhur me paratë e korrupsionit të tij!”, shkruan Këlliçi. Ndërkohë edhe drejtuesja Politike për Qarkun e Lezhës, Jozefina Topalli, gjatë takimit me demokratët në Rrëshen theksoi dje se ky është një moment shumë specifik. “Ne jetojmë në Republikën e 5D, ne jetojmë në republikën ku Kryetari i Bashkisë që është biznesmeni më i pasur, ne jetojmë në republikën ku ministrat janë investitorët strategjikë, ku drejtorët kanë kompani, ne jetojmë në republikën e grabitjes”, deklaroi ajo. Më tej Topalli u shpreh se nuk na falet që të mos reagojmë përballë një situate të tillë. “Nga cili pushtues janë përzënë kaq shumë shqiptarë nga Shqipëria? Ne jetojmë në një vend ku Tirana nuk ka muze, teatër, teatër kukullash. Ne jemi popullsia që po plakemi dy herë më shpejt se sa të gjitha popullsitë e tjera të Botës. Jemi vendi ku bujqësia dhe blegtoria janë në pikiatë. Në cilin vend jetojmë ne? Në vendin ku kryetari i opozitës është i arrestuar me një proces politik, që fillon me padinë e Taulant Ballës dhe vijon ende”, nënvizoi Topalli. Ndërkaq edhe ish-kryeministri Sali Berisha kërcënoi dje Veliajn nga banesa ku qëndron i izoluar. “Sot o kurrë, betejë pa kthim, deri në rrëzimin e Erion Veliajt, kësaj monstre të vjedhjes që guxoi të poshtërojë shqiptarët. Të vendosë në bashkinë e Tiranës modelin e vjedhjes 100 për qind të parave të qytetarëvve. Nesër është dita, nesër është ora, nesër është fitorja. Betejë pa kthim deri në rikthimin e bashkisë së Tiranës, qytetarëve dhe më pas radhën e ke ti Edi Rama. Edi Rama nuk do të gjesh vrimë miu ku të futesh, por jep dorëheqjen. Do të shkojmë me qeveri teknike, të krijojmë qeveri teknike, zgjedhje të lira. Fitore, fitore, fitore. Rroftë Partia Demokratike, rrofshi ju, rroftë Shqipëria. Nesër dita e qytetarëve të Tiranës, dita e guximtarëve të Tiranës, dita e zemërimit të qytetit, dita e triumfit, virtyteve të tij. Rroftë Tirana, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore”, deklaroi dje Berisha.
