Gjykata e Lartë “fundos” pazarin Rama-Berisha, refuzon rekursin e ish-kryeministrit dhe e lë sërish në “arrest shtëpiak”, alarmohet “Foltorja”

Data

Gjykata e Lartë ka treguar se është një institucion tërësisht i pavarur, teksa ditën e djeshme ka vendosur të “fundosë” pazarin Rama-Berisha, pasi refuzoi rekursin ish-kryeministrit, duke e lënë atë sërish në “arrest shtëpiak”. Gjatë këtyre ditëve në korridoret e mediave dhe politikës, veçanërisht në radhët e socialistëve dhe demokratëve të “Foltores”, flitej se pas pazarit të arritur mes Rithemelimit dhe Partisë Socialiste, Berisha mund të dilte nga “arresti shtëpiak” ku ndodhet prej dhjetorit të vitit që shkoi për shkak se po hetohet për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Por kjo “ëndërr e tyre ka mbetur në sirtar”. Ish-kryeministri Sali Berisha humbi edhe një tjetër beteje më drejtësinë. Ai do të vijojë të qëndrojë në masën arrest shtëpie, pasi Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin përmes së cilit kërkonte lirinë. Kolegj Penal me relator gjyqtarin Sokol Binaj la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për masën arrest në shtëpi, ku ish-kryeministri ndodhet prej 30 dhjetorit 2023. “Kolegji Penal, pasi shqyrtoi ne tërësi dhe ne themel te gjitha shkaqet e parashtruara ne rekursin e paraqitur nga Z. Sali Berisha, vendosi: Lënien ne fuqi te vendimit nr. 15 date 25.01.2024, te Gjykatës se Apelit te Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njoftoi dje Gjykata e Lartë. Por ky vendim nuk është pritur mirë nga Berisha dhe ithtarët e tij të “Foltores”, të cilët kanë hedhur akuza të forta në adresë të drejtësisë. Pra duket qartë se dosja “Partizani” është kthyer në makth për Sali Berishën, e shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Kujtojmë që vetëm dy ditë më parë edhe Gjykata e Posaçme u rrëzoi kërkesat për liri Berishës dhe dhëndrit Jamarbër Malltezit, duke lënë në fuqi masën arrest në shtëpi. Berisha është në hetim për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani, gjatë kohës kur ai ishte kryeministër. Ai dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, gjithashtu në arrest shtëpie, në përfitimin e pronave të truallit. Malltezi më pas ndërtoi komplekse pallatesh në atë tokë. Berishës fillimisht iu caktua masa e detyrimit për t’u paraqitur, por ai refuzoi t’i bindej urdhrit dhe Prokurorisë së Posaçme i lindi e drejta ta ndryshojë masën në arrest shtëpie.

Berisha sulmon SPAK-un

Ndërkohë dje Berisha shfrytëzoi arrestimin e drejtorëve të Bashkisë së Tiranës sa i takon dosjes “5D”, ndërsa hodhi akuza ndaj Prokurorisë së Posaçme. Nga ballkoni i banës ku qëndron i izoluar, ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh se Erion Veliaj po mbrohet nga Skrapi i partisë njëlloj si Edi Rama, ndërsa paralajmëroi se edhe këto lidhje do të zbërthehen një nga një. Berisha tha se bandit si Erion Veliaj Tirana nuk ka parë, ndërsa i bëri thirrje të largohet dhe të mos presë ditën e enjte, referuar protestës së thirrur para Bashkisë, ku do të kërkohet dorëheqja e tij nga posti i kryebashkiakut. “Koha është të shkosh aty ku e meriton. Bandit si ti, Tirana nuk ka parë. Ti ke vjedhur në këto 4 vite, më shumë se ç’ka vjedhur Tiranën çdo qytetar, çdo zyrtar, çdo hajdut para teje në një shekull. Largohu, mos e prit të enjten aty. Mos mbill sherr! Ik dhe vetëm ik! Se pafytyrësi të tillë nuk ka parë Tirana ndonjëherë. Erion Veliaj, ke zgjedhur njëlloj si Edi Rama, të mbrohesh nga Skrapi i partisë. Por edhe ato fijet, edhe ato lidhjet, këtu në rrugën e të vërtetës, në Rrugën e Shpresës, do t’i zbërthejmë një nga një. Bashkë me hajdutët e Skapit, bashkë me anëtarët e organizatës kriminale të Skapit. Bashkë me ata që arrestojnë njëlloj si narkoprokurorët e Kolumbisë, arrestojnë ushtarët e Eskobarit për të mbrojtur Pablon. Edhe ata arrestojnë ushtarët tu dhe të Edi Ramës për të mbrojtur ju dhe qindra e qindra milionë që u keni vjedhur shqiptarëve. Edhe njëherë, gëzuar natën e Bajramit! Zoti u bekoftë ju, familjet tuaja dhe Shqipërinë. Zoti e bekoftë betejën e shqiptarëve kundër hajdutëve, kundër kleptokratëve, për çlirimin e bashkisë, për çlirimin e Shqipërisë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria”, deklaroi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related